AktualitetNATO/BETë fundit

NATO i dërgon mezsazh të qartë çdo kundërshtari potencial

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s informon për ushtrimin  Trident Juncture 2018.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg informoi mediat, sot përpara fillimit të stërvitjes Trident Juncture, ushtrimit më të madh të NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë, që fillon më 25 tetor  në Norvegji. Trident Juncture do të përfshijë rreth 65 anije, 250 avionë, 10.000 automjete dhe 50.000 persona nga e gjithë Aleanca. Të 29 aleatët po marrin pjesë, si dhe partnerët e NATO-s Finlanda dhe Suedia. “Kjo është një shfaqje e fortë e aftësive tona dhe e vendosmërisë sonë për të punuar së bashku”, tha Sekretari i Përgjithshëm.

Stoltenberg përshkroi skenarin e ushtrimit, i cili do të testojë aftësinë e NATO-s për të rivendosur sovranitetin e një aleati pas një akti të agresionit të armatosur. Ushtrimi gjithashtu do të testojë dhe do të vërtetojë Forcën e Reagimit të NATO-s për 2019. “Trident Juncture dërgon një mesazh të qartë, për kombet tona dhe për çdo kundërshtar potencial: NATO nuk kërkon konfrontim, por ne jemi të gatshëm për të mbrojtur të gjithë aleatët kundër çdo kërcënimi” tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi se ushtrimi Trident Juncture është një ndërmarrje e madhe logjistike. Që nga gushti, rreth 180 fluturime, 60 anije të pajisjeve dhe personelit kanë ardhur në 27 vende të ndryshme në Norvegji, nga aq larg sa Kalifornia. “Sot, të gjitha forcat dhe pajisjet tona janë në vend, nga anija më e madhe, deri te droni më i vogël”, tha Stoltenberg. Ai shtoi se lëvizja e trupave dhe pajisjeve në një shkallë të tillë është një përpjekje shumëkombëshe.

Stoltenberg theksoi se një pjesë e rëndësishme e Trident Juncture do të zhvillohet në det, dhe Admirali James Foggo do të komandojë të gjithë stërvitjen nga bregu i USS Mount Ëhitney. “NATO është e angazhuar për sigurimin e Atlantikut dhe Trident Juncture demonstron forcën e qëndrueshme të lidhjes transatlantike”, tha ai. Mijëra forca nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja do të marrin pjesë në stërvitje, duke vënë në lëvizje disa nga aftësitë e tyre më të afta, duke përfshirë edhe transportuesin e avionëve USS Harry S. Truman.

Duke ju drejtuar çështjes së transparencës, Sekretari i Përgjithshëm vuri në dukje se të gjithë anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë janë ftuar të dërgojnë vëzhgues në Trident Juncture. “Unë e mirëpres që Rusia, si dhe Bjellorusia kanë pranuar ftesën”, tha ai. Stoltenberg shtoi se NATO gjithashtu e informoi Rusinë mbi stërvitjen në Këshillin NATO-Rusi më parë këtë vit.

 

Fraksion.com