DW: Shkatërrohet organizata kriminale e trafikimit të drogës
Për herë të parë në Shqipëri kryhet Mega-Operacion kundër krimit të organizuar: Zbulohen lidhje të politikës me krimin, trafikantë dhe politikanë të arrestuar
Shkatërrohet cikli i mbyllur i trafikimit të drogës
Një Mega-operacion i Policisë së Shtetit sapo ka dhënë rezultate të rëndësishme. Ardi Bita, zëdhënës në Ministrinë e Brendshme, thotë për DW.
“Mega-Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në 12 qytete të vendit, që nga Hasi në Sarandë. Të hënën (22.10.2018) u dha goditja finale me angazhimin e 1500 forcave të policisë. U arrestuan 27 persona, mes të cilëve 3 oficerë policie, 6 persona u shpallën në kërkim, u shkatërrua një laborator përpunimi të heroinës në Has, u sekuestruan 182,5 kg opium, u kryen 100 kontrolle banesash dhe mjedisesh të tjera ”.
Mega-OPeracioni është i pari në llojin e vet në Shqipëri nga përmasat dhe cilësia e rezultateve. Ai filloi një muaj më parë, në shtator, kur Policia e Shtetit mori një kallzim penal nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nga hetimet dhe arrestimet në kuadër të këtij Mega-operacioni rezulton se në Shqipëri veprojnë katër grupe kryesore të trafikut të drogës: Grupi i Lezhës, Shijakut, Hasit dhe Fier-Ballsh-Delvinë, që kanë bashkëpunuar mes tyre, si një organizatë e vetme, e strukturuar, me shtrirje brenda dhe jashtë vendit dhe kanë arritur të kenë një cikël të mbyllur të trafikut të lëndëve narkotike: prodhim, përpunim, dhe shpërndarje në vendet e BE. Dosja në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përmban të dhëna nga hetimet intensive që paraprinë arrestimet dhe shkatërrimin e laboratorit në Has: mijëra orë përgjime telefonike, filmime, përgjime të ambientit, vëzhgime me dron, mijëra faqe shkëmbim informacioni dhe korrespondence me agjensi ligjzbatuese brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Fakte: Lidhje të politikanëve me krimin e organizuar
Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë në tavolinë një dosje të vetme për katër grupet kriminale të drogës. Në këtë dosje janë edhe hetimet ndaj dy ish-deputetëve socialistë, të arrestuar ditët e fundit: Arben Ndoka dhe ish- Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë, Arben Çuko, i shkarkuar para një muaji, si i dyshuar për korrupsion. Ish-deputeti socialist Ndoka akuzohet për falsifikim dokumentash, vulash dhe tjetërsim të pronës, në bashkëpunim me grupin kriminal të Lezhës. Gazetari investigativ Artan Hoxha, i pyetur nga DW, se ku qëndron bashkëpunimi i ish-deputetit socialist Ndoka me grupin kriminal të Lezhës, jep disa hollësi:
„Grupi kriminal i Lezhës akuzohet se ka pastruar paratë nga trafiku i drogës duke blerë prona në zona turistike, falsifikuar dokumenta, korruptuar punonjës të Hipotekës, Kryetarin e Bashkisë së Lezhës, anëtarë të Këshillit të Qarkut, ku ka përfaqësues nga tre forca politike, PS, PD dhe LSI. Ish- deputeti socialist dhe koordinator i PS për Lezhën, Arben Ndokaj, ka përdorur pushtetin politik për të falsifikuar dokumenta, vula, formularë, tjetërsuar toka publike si pasojë e lidhjes me grupin kriminal të Lezhës,” thotë për DW, Artan Hoxha.
Arrestimi i Arben Ndokajt vjen pas arrestimit në Lezhë të 12 personave, në Mars të këtij viti, mes të cilëve Kryetari i Bashkisë së Lezhës, me akuzën e abuzimit me troje, tjetërsimit të 235 mijë metra katrorë tokë shtetërore. Skema është e njohur: blej shumë lirë tek pronarë fiktivë, rishite me ҫmim të lartë si zonë turistike që do të zhvillohet. Ndërsa ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, ish-deputeti socialist Çuko, akuzohet për korrupsion pasiv dhe lidhje me grupin kriminal të Shijakut.
„Nga përgjimet ka dalë emri i ish-deputetit socialist Arben Çuko, që ka marrë para dhe një automjet për të transferuar në një burg tjetër, një të burgosur, anëtar të grupit kriminal të Shijakut, të dënuar me 22 vjet burg për vrasje,” thotë për DW, gazetari investigativ, Artan Hoxha.
Gjermania: Mbështetje Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar
Rezultatet e Mega-Operacionit përkojnë në kohë me impaktin e vizitës në Tiranë, të Drejtorit të Policisë Federale Gjermane, Dietter Romann, para një jave, (18.10.2018). Dieter Romann premtoi rritje të asistencës gjermane dhe shkëmbimit të informacionit mes policive të të dy vendeve për më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar. Një precedent kuptimplotë i rezultateve pozitive nga bashkëpunimi dypalësh është ai i sekuestrimit nga policia në shkurt të këtij viti, në Durrës, të 613 kg kokainë, që vinte nga Kolumbia, e destinuar për në Gjermani. Pas 3 muajsh policia gjermane sekuestroi në Bavari 1,8 ton kokainë, të fshehur, po në të njëjtën mënyrë, si në rastin e Durrësit: në kuti bananesh. Pas arrestimeve në Bavari, Antidroga gjermane shtriu hetimet e saj edhe në Shqipëri. Policia e shtetit shkatërroi në fillim të kësaj jave ciklin e mbyllur të trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri edhe falë shkëmbimit të informacionit mes policive dhe agjensive ligjvënëse të Gjermanisë dhe sidomos hetimeve gjermane në Shqipëri.
„Të paprekshmit” duken se do ta kenë të vështirë jetën tash e prapa edhe në Shqipëri. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë për DW, se ky është vetëm fillimi. Rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kushti kryesor që BE i ka vënë Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit vitin e ardhshëm.
Fraksion.com