Transformimi i FSK-së në ushtri, për Malin e Zi çështje e brendshme e Kosovës
Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, përmes rrugës ligjore, për Malin e Zi është një çështje e brendshme e Kosovës, deklaroi sot në Prishtinë, ministri malazez i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq.
Pas takimit me ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha, e cili e priti me nderimet ushtarake, Boshkoviq tha se transformimi i kësaj Force në ushtri, është një çështje e brendshme e Kosovës dhe se Mali i ZI nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të fqinjëve.
“Ju e dini se Mali i Zi është një nga promovuesit më të mëdhenj të politikës së dyerve të hapura dhe integrimet në NATO duke mbështetur tjerët si dhe duke respektuar të gjitha mendimet e ndryshme që ekzistojnë në rajon. Nuk i takon Malit të Zi të thotë mendimin për këtë çështje, thjesht i respektojmë të gjitha ato vendime të shteteve sovrane, ndërsa Kosovën e konsiderojmë një vend sovran”, tha Boshkoviq.
Ministri malazez tha se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Malit të Zi janë në nivel të lartë me mundësi të avancimit, duke theksuar se ky është edhe qëllimi kryesor i vizitës së tij në Prishtinë “për të treguar se ne jemi një mik i sinqertë i Kosovës, se ne jemi një vend që dëshiron të transferojë të gjithë përvojën e tij të integrimit evropian dhe euroatlantik”.
Fraksion.com