AktualitetTë fundit

Aksioni kundër të fortëve, 300 të arrestuar

Një tjetër megaoperacion është ndërmarrë prej 20 shtatorit në çdo cep të Shqipërisë.

Bëhet fjalë për ndëshkimin e të fortëve. Ata individë që në shkelje të hapur të ligjit, cenojnë rendin e qetësinë publike dhe guxojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit dhe forcën e ligjit.

“Që nga mesi i muajit shtator në zbatim të një porosie të Kryeministrit të vendit dhe me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Policia e Shtetit programoi zhvillimin e një operacioni kontrolli, parandalimi dhe ndëshkimi në territor. Nga Drejtoritë Vendore të Policisë së qarqeve fillimisht u hartuan lista nga çdo Komisariat dhe Zonë Policore, individët me precedentë kriminal, me rrezikshmëri shoqërore si dhe individët problematikë me sjelljet e tyre të dhunshme në mjediset tona shoqërore. Nga data 20 shtator Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Operacionale, FNSH, e posaçërisht forcat RENEA sipas një plan veprimi të detajuar janë angazhuar gjerësisht në territor në realizimin e Operacionit policor të koduar “Ndëshkimi i “Të fortëve”. Të gjithë këtë aktivitet të shtirë në çdo skaj të vendit gjatë kësaj periudhe e kemi zhvilluar qëllimisht në heshtje publike, duke patur interes të parë, rezultatet. ” informoi drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Janë arrestuar vetëm në kuadrin e këtij operacioni, mbi 300 persona në kontrollet pro aktive në territor, ndër ta rreth 160 persona të identifikuar me precedentë apo prishës të rendit, të konsideruar si ‘të fortë’ janë ndaluar apo arrestuar, ndër ta rreth 70 vetë për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu janë kapur e arrestuar 154 persona për të cilët ka patur një urdhër kërkimi kombëtar dhe 14 të tjerë në kërkim ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale.

 

Fraksion.com