AktualitetBota+Të fundit

A ka përfunduar marrëveshja për Brexit?

Kryeministrja May e konsideron thuajse të mbyllur marrëveshjen për Brexit. Marrëveshja ka përfunduar në 95 përqind, tha May para parlamentit britanik. Komisioni i BE është dakord vetëm nga pikëpamja sasiore.

    
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May kërkoi në Parlament mbështetje për kursin e saj për Brexitin. “95 përqind e marrëveshjes së shkëputjes” tashmë janë negociuar, tha May. Që prej takimit informal në Salzburg para një muaji janë bërë përparime të rëndësishme për shembull në temën e sigurisë, të shërbimeve dhe të transportit, tha May para Parlamentit të Londrës. Ajo u bëri thirrje deputetëve: “ne duhet t’i mbajmë nervat tona”.

Brenda partisë së saj presioni i Brexit-asve të pakompromis është rritur. Politikanët, të cilët kërkojnë një ndarje të qartë nga BE, kërcënojnë se do të shpërthejnë në revoltë. Politikanë të pacituar me emra në mediet britanike kanë deklaruar se May po hyn në “zonën e vdekjes”.

Se kur do të vazhdojnë negociatat për Brexitin, sipas Komisionit Evropian është e paqartë. Ende nuk është caktuar një takim i ri midis ministrit të Brexitit Dominic Raab dhe negociatorit të BE, Michel Barnier, tha një zëdhënës në Bruksel. Në Bruksel po presin që Londra të hyjë sërish në negociata.

Vërtet që është e qartë që marëveshja e shkëputjes është gati në pjesën më të madhe, tha një zëdhënës. Por ende mungon pajtimi vendimtar për garancinë e kërkuar nga BE për kufijtë e hapur në Irlandë.

Bashkimi Evropian propozon konkretisht: për aq kohë sa nuk është gjetur zgjidhje tjetër, Irlanda e Veriut – ndryshe nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar – duhet të qendrojë në bashkimin doganor me BE dhe të zbatojë një numër të madh rregullash të tregut të brendshëm. Por këtë May e kundërshton rreptë.

Si do të vejë puna e Irlandës së Veriut?

Ky Backstop nuk është i pranueshëm për të, sepse ai në Detin e Irlandës ai mund të çojë në një kufi doganor – midis Britanisë së Madhe dhe pjesës së vendit Irlandë e Veriut. “Unë nuk besoj se këtë do ta pranonte ndonjëherë ndonjë kryeministër britanik. Unë me siguri që nuk do ta bëj”, tha May.

Grindja për Irlandën e Veriut bllokon dakordimin e përgjithshëm për një marrëveshje shkëputjeje. Një zgjatje e 21 muajve të planifikuar si muaj tranzitorë është “e padëshiruar” dhe vjen në diskutim vetëm si alternativë për Backstop, tha më tej May. Një zgjatje të tillë e ka propozuar si ide Bashkimi Evropian, për të pasur më shumë kohë për një rregullim. Britania e Madhe do të largohet në fund të marsit 2019 nga BE.

Ditët e ardhshme mund të jenë ditët më të vështira në mandatin e Mayt si kryeministre, u bë e ditur në mediet britanike. Në fundjavë Mayt iu desh të zhvillonte dy konferenca telefonike me anëtarët e kabinetit, për të marrë mbështetje më të madhe për planet e saj për Brexitin.

Konservatorët skeptikë ndaj Evropës në Britaninë e Madhe druhen se Britanisë së Madhe mund t’i imponohet një bashkim doganor pa fund me BE dhe në këtë mënyrë nuk do të jetë në gjendje të bëjë një politikë tregtare si kishin shpresuar nga Brexiti./DW

 

Fraksion.com