Haradinaj liron nga detyra zëvëndësministrin Musa Cena
Kryeministri Ramush Haradinaj ka liruar nga detyra zëvëndësministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.
Përmes një statusi në rrjete sociale, kryeministri i Kosovës bëri të ditur se vendimi është marrë pasi zëvëndësministri Cena dyshohet nga organet e drejtësisë për vepër të kryer gjatë mandatit aktiv të tij.
Kryeministri Haradinaj ftoi organet e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë punën me përgjegjësi në çdo situatë.
Policia e Kosovës njoftoi dje se ka arrestuar tre persona të dyshuar se kanë marrë ryshfet dhe kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, duke shtuar se të gjitha procedurat tjera do ndërmerren në përputhje me ligjin.
“Ju informoj se me datë 20.10.2018 Policia e Kosovës pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore ka kryer arrestimin e tre personave të dyshuar te involvuar në veprat penale Marrje e Rryshfetit dhe Keqperdorim i Pozites apo autoritetit Zyrtar sipas kodit penal te Republikes se Kosoves. Te dyshuarit duke vepruar ne bashkryerje dyshohet se kane marre rryshfet nga pala e dëmtuar”.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personi zyrtar i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pranon ryshfet, mund të dënohet deri në 12 vjet burgim.