AktualitetPolitikëTë fundit

27 arrestime nga 4 grupe kriminale të drogës në fundjavë

Policia shqiptare arrestoi këtë fundjavë në 12 qytete 27 persona, drejtues dhe anëtarë të 4 grupeve kriminale, të përfshirë në prodhimin e trafikun e drogës. Krahas arrestimeve të grupeve kriminale të skeduara nga Task Forca Speciale, u shpallën në kërkim 6 persona të tjerë dhe u kontrolluan 100 objekte të dyshuara.

Të dhënat i publikoi ministri i punëve të brendshme, Fatmir Xhafaj, teksa theksoi me një mesazh në rrjetet sociale se ky ishte “një operacion shembullor disaditor me disiplinë e profesionalizëm të lartë dhe asnjë rrjedhje informacioni”.

“Forca e Ligjit do të vazhdojë mbi gjithçka e mbi cilindo, e s’ndalet nga askush. Ky s’është show, por betejë reale me krimin e organizuar bashkë me agjencitë ligjzbatuese & partnerët ndërkombëtarë” – tha ministri Xhafaj.

Arrestimet, sipas tij, janë fryt i hetimit, vëzhgimeve dhe gjurmimeve disamujore në terren, përqëndruar më së shumti në Shkodër dhe Fier.

 

Fraksion.com