AktualitetKosovaOp-Ed

Ramadani: Veprimi i FSK në të gjithë Kosovën

Zëvendësministri i FSK-së Burim Ramadani në një intervistë për DW, flet për mandatin e ri të FSK-së, (ushtrisë së Kosovës) reagimet e serbëve dhe Beogradit zyrtar, si dhe bashkëveprimin e FSK-së me KFOR-in.

    
DW: Z Ramadani, Kvendi i Kosovës miratoi tre rojektligje që i japin mandat të ri Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK por pa iu ndryshuar emri. A do të thotë kjo që FSK, tash e tutje është ushtri e rregullt e Kosovës, apo çfarë forme do të ketë?

Burim Ramadani: FSK që nga momenti kur ligjet hyjnë në fuqi ka misionin ushtarak dhe mbrojtës. Ky institucion me emër të njëjtë, por me mandat të ri do të ketë një periudhë 10 vjeçare ku do të arrijë përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale, respektivisht do të kalojë një fazë të tranziocionit në mënyrë që doktrina, lidershipi, sistemi i armatimit të jenë të bazuara në standardet e plota amerikane dhe të NATO-s. E gjithë kjo në mënyrë që t’i përmbushë nevojat që i ka në ligjet të cilat kanë kaluar në lexim të parë, ndërsa në lexim të dytë besoj që do të kalojnë në javët e fundit të këtij viti.

Por cili është dallimi i krijimit të ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese dhe krijimi i ushtrisë përmes ligjeve, sikurse kjo që ndodhi në kuvendi?

Dallimi është në dy elemente që janë të përgjithshme dhe jo përmbajtjesore. Dallimi i parë është që emri FSK do të mbetet i njëjtë, sepse ky emër është kushtetues, dhe dallimi i dytë është që nuk është maksimalizuar përkrahja politike e politikanëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Kjo e fundit me faktin e qartë të ndërhyrjeve nga jashtë me qëllim pengimin e tranzicionit të FSK-së. Në aspektin përmbajtjesor, FSK në mandatin ushtarak dhe mbrojtës nuk do të ketë kufizim, i plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe mandatuese, sikurse të gjitha institucionet ushtarake nëpër vendet e tjera, ndërsa koha  e nevojshme që ajo të përmbushë kapacitetet e plota është një periudhë 10 vjeçare.

Z. Ramadani shtetet që kanë ushtri të mirëfillta pjesë e NATO-s, janë të detyruara që të ndajnë deri në 2% të buxhetit për ushtri bazuar në  Produktin Bruto në Vend të tyre. A ka Kosova kapacitete buxhetore që ts ndajë këtë përqindje të Produktit Bruto në Vend për ushtrinë e Kosovës?

Ne e kemi planin e qartë për të gjitha pjesët e tjera, trajnuese dhe edukuese, por po ashtu edhe për buxhetin. Në secilin vit të tranzicionit të FSK-së do të ketë rritje graduale të buxhetit dhe si i tillë unë besojë që brenda një periudhe 10 vjeçare Kosova do t’i afrohet 2% të GDP-së në mënyrë që programi i mbrojtjes dhe institucionit ushtarak të jetë kompatibël dhe i ndërveprueshëm me NATO-n. Sigurisht kapacitetet buxhetore të Kosovës mbeten solide dhe si të tilla do të jetë solid edhe buxheti për programin e mbrojtjes, sepse nuk guxojmë të kalojmë shifrat e 2% të GDP-së, sepse kjo do të nënkuptonte dëmtim të programeve të tjera qeveritare. Sidoqoftë rritja graduale e buxhetit do të jetë në balancë me rritjen buxhetore dhe rritjen e GDP-së, dhe mos të harrojmë se kemi një varg planesh dhe marrëveshjesh edhe aktuale për donacione të ndryshme që jepen për FSK-në.

Sa do të jetë numri i pjesëtarëve të FSK-së?

FSK do të ketë pesë mijë ushtar aktiv dhe tre mijë rezervë. Kjo shifër ka dalë si rezultat i analizave të rishikimit të sektorit të sigurisë në bazë të nevojave dhe kërkesave për sigurinë e Kosovës, do të ketë personel të trajnuar mirë nëpër shkollat më të mira të vendeve të NATO-s, dhe kështu FSK do të jetë e ndërveprueshme në mënyrë të plotë të NATO-s.

Pas miratimit të ligjeve për FSK që e shndërrojnë atë në ushtri, Beogradi zyrtar tha se ky është kërcënim për paqen në rajon dhe kërcënim për serbët e Kosovës. Këtë e thanë edhe deputetët serb në kuvend. Sa janë të qëndrueshme këto konstatime?

Deklaratat e tilla janë të paqëndrueshme dhe kjo bazuar në dy elemente kryesore. E para FSK është profesionale dhe multietnike e ndërtuar mbi standardet e NATO-s dhe edhe për nga numri dhe kapaciteti asesi nuk është kërcënim për ndonjë shtet apo për rajonin, por përkundrazi është e gatshme dhe do të jetë e gatshme që të ndërveprojë me të gjitha ushtritë e rajonit duke përfshirë edhe ushtrinë e Serbisë. Qëllimi ynë është i qartë që të shërbejmë së bashku sikurse të gjitha shtetet në rajon edhe në misione paqeruajtëse ndërkombëtare kudo nëpër botë. Dhe baza e dytë është fakti se qëndrimet politike kundërshtuese të tranzicionit të FSK-së janë krejtësisht të paargumentuara, sepse kjo forcë është shumëtnike dhe numri i pjesëtarëve të FSK-së nga komunitetet është shumë më i lartë sesa ta themi ushtria e Serbisë apo edhe te ushtritë tjera në rajon, përndryshe FSK është më diverse sesa shumica e ushtrive të vendeve të NATO-os.

A do të ketë shtrirje dhe a do të mund të veprojë FSK edhe në veriun e Kosovës?

FSK nuk do të ketë asnjë kufizim qoftë në mandat qoftë në mision në kryerjen e detyrave të veta, sepse jemi duke folur për sistemin demokratik të qeverisjes së sektorit të sigurisë. FSK do të veprojë dhe bashkëveprojë edhe me KFOR-in njejtë nëpër të gjitha pjesët dhe rajonet e Kosovës dhe do të jetë e gatshme të kryej detyrën e vet dhe kjo është mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës, mbështetja për autoritetet civile, mbështetja qendrore dhe operacionale.

Z. Ramadani, në Kosovë tashmë ka edhe trupat e KFOR-it me mision dhe mandat të plotë. Si mund të ekzistojnë në një vend dy ushtri?

Prezenca e NATO-s dhe misioni i KFOR-it janë të mirëseardhura në Kosovë për tërë jetën. Ky është partneritet, i cili po rritet dita ditës sikurse është rritur edhe gjatë viteve të kaluara. Edhe gjatë viteve të kaluara një pjesë e madhe e detyrave janë bartur në institucionet kosovare. Pra mund të ekzistojnë mund të bashkëpunojnë, janë partner dhe ne duam që prezenca e NATO-s në Kosovë të jetë e përjetshme dhe në të njëjtën kohë Kosova të jetë shtet anëtar i NATO-s.

 

Fraksion.com