AktualitetBota+Të fundit

Princi saudit i kurorës nën vemendjen botërore

Princi saudit i kurorës, Mohamed Bin Salman, aktualisht udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, pat thënë një herë se kishte frikë se mund të vdiste “pa përfunduar atë që kishte në mendje”. Provat e shumta që po dalin në pah e kanë forcuar dyshimin se ai mund të ketë lidhje me zhdukjen e gazetarit dhe disidentit Jamal Khashoggi.

Një listë e gjatë me biznesmenë e udhëheqës është tërhequr nga konferenca që princi kishte organizuar në Riad. Ndërkaq analistët thonë se zotimi i princit për të sjellë një epokë të re në Arabinë Saudite duket se është në rrezik.

Konferenca e javës së ardhshme e titulluar “Nisma e Investimeve për të Ardhmen” do të drejtohet nga princi Bin Salman, për të cilin shumë veta besojnë se ka urdhëruar vrasjen e Khashoggit. Konferenca që u cilësua si “Takimi i Davosit në Shkretëtirë” është organizuar me synimin për të reklamuar vizionin e princit për modernizim ekonomik e social. Synimi është që Arabia Saudite të ulë vartësinë tek eksportet e naftës dhe të krijojë sektorë të rinj zhvillimi e punësimi.

Planet e princit për modernizim varen nga mbështetja dhe investimet e Perëndimit, por bojkotet e shumta të konferencës nga firma perëndimore po shihen si goditje e fortë ndaj axhendës së princit.

Më shumë se 30 delegacione të profilit të lartë janë tërhequr që nga zhdukja e Khashoggit. Firma Goldman Sachs thotë se nuk do të dërgojë asnjë nga drejtuesit ekzekutivë. Po ashtu kompania UBER, si dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk do të marrin pjesë.

Pritet të ketë edhe të tjerë, sidomos pas tërheqjes së shefave të tregtisë të SHBA dhe Britanisë. Dje Sekretari Steve Mnuchin dhe Sekretari britanik Liam Fox thanë se nuk do të marrin pjesë.

Ligjvënësi britanik Angus MacNeill, kreu i komisionit për tregti ndërkombëtare në Dhomën e Komuneve, u ka bërë thirrje kompanive britanike ta bojkotojnë konferencën.

Bojkoti mund të sinjalizojë dëme afatgjata ndaj projektit të princit për reforma, edhe nëse Perëndimi nuk vendos sanksione ndaj Arabisë Saudite. Princi dhe Arabia Saudite mund të jenë një adresë shumë toksike për investime nga firma të njohura pas zhdukjes së Khashoggit.

Zyrtarët turq thonë se 15 sauditë u nisën nga Riadi, me misionin për të ekzekutuar gazetarin. Po sipas zbulimit turk, ata e vranë dhe e copëtuan trupin e Khashoggit pak pas mbërritjes së tij në konsullatë ku kishte ardhur për të marrë dokumenta për celebrim. Autoritetet saudite mohojnë se ai është vrarë por nuk kanë dhënë shpjegime lidhur me zhdukjen e tij.

Disa kanë ngritur pyetje nëse Mbreti Salman 82-vjeçar mund të detyrohet të gjejë një pasues tjetër në vend të princit që kishte caktuar si trashëgimtar pas intensifikimit të reagimeve ndërkombëtare.

Deri tani, përveçse ka shprehur shqetësim për zhdukjen e gazetarit, Presidenti Trump vetëm është shprehur që “me sa duket ai nuk është gjallë”. Por qeveritë perëndimore nuk kanë sinjalizuar se çfarë masash mund të marrin.

Presidenti Trump është zotuar për “pasoja të rënda” nëse provohet se gazetarin e vranë sauditët. Shtetet e Bashkuara dhe qeveri të tjera perëndimore thonë se nuk do të japin opinione deri kur sauditët dhe turqit të përmbyllin proceset përkatëse hetimore lidhur me dyshimet se Khashoggi u vra nga një ekip profesionist që kishte lidhje me Princin Mohamed bin Salman.

Miqtë e Khashogit shohin në këtë ngurim një përpjekje për t’u dhënë sauditëve mundësinë të përgatisin një skenar ku faji bie mbi dikë tjetër dhe jo princin e kurorës.

Të enjten një artikull në gazetën New York Times shkruante se autoritetet saudite po analizojnë mundësinë për të fajësuar Gjeneral Majorin Ahmed al-Asiri, një oficer i lartë i zbulimit saudit, për vrasjen e Khashoggit. Këtë skenar e kanë analizuar edhe media të tjera që kanë përmendur emra të ndryshëm që sauditët mund t’i përdorin si “kokë turku” për të shfajësuar princin.

Por kjo mund të mos mjaftojë për të qetësuar Perëndimin apo për të bindur firma të fuqishme të vazhdojnë shkëmbimet me Arabinë Saudite ndërkohë që vendi drejtohet nga Princi Mohamed bin Salman. Miliarderi Richard Branson ka pezulluar disa lidhje tregtare me sauditët si dhe diskutimet mbi investime në projekte hapësinore.

Nëse dyshimet vërtetohen, thotë Branson, “do të ndryshojë hapësira e veprimit për të gjithë ne lidhur me bashkëpunimet me qeverinë saudite”.

Biznesmenë të tjerë thonë për Zërin e Amerikës se kishin pasur shqetësime edhe para zhdukjes së Khashoggit, si rezultat i natyrës impulsive të princit, shtypjes së disidentëve dhe metodave agresive në politikën e jashtme në rajonin e Gjirit Persik, si për shembull bombardimet mbi zona civile në Jemen.

Ata thonë se pak javë më parë ishin të gatshëm të bënin një sy qorr para këtyre shqetësimeve. Por jo tani. “Zhdukja e Khashoggit e ka nxjerrë haptazi në pah se princi është njeri jashtë kontrollit,” thotë drejtuesi i një firme britanike, në kushte anonimiteti.

Reagime të tjera

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte në fillim të javës në Arabinë Saudite ku, tha ai, udhëheqësit e vendit këmbëngulin se nuk kanë lidhje me zhdukjen e gazetarit:

“Ata gjithashtu më siguruan se do të zhvillojnë një hetim të plotë e të hollësishëm të të gjitha fakteve lidhur me Khashoggin sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Organizata për të drejtat e njeriut thonë se hetimet saudite nuk janë të besueshme dhe kanë kërkuar një proces të pavarur nga Kombet e Bashkuara:

“Ata kanë nxjerrë informacion kontradiktor, kanë thënë se gazetari kishte dalë nga konsullata. Pra sido që të rezultojë procesi i tyre nuk do të ishte i besueshëm,” thotë Lynn Maalouf, e organizatës “Amnesty International”, Zyra për Lindjen e Mesme.

Familja mbretërore saudite njihet për trajtimin mizor të disidentëve në këtë vend që sundohet me grusht të hekurt.

“Autoritetet nuk lejojnë protesta, nuk lejojnë opinione të pavarura, sindikata. Këtë politikë kanë ndjekur gjithmonë,” thotë Sarah Margon e organizatës “Human Rights Watch”.

Aktivistët thonë se Kombet e Bashkuara nuk kanë bërë sa duhet në përgjigje të këtyre praktikave:

“Vendet anëtare, edhe ato që pretendojnë se respektojnë të drejtat e njeriut, tregohen shumë hipokrite kur është fjala tek Arabia Saudite dhe për të mbrojtur aleatin e tyre kryesor,” thotë Sherine Tadros e organizatës “Amnesty International” Zyra e Nju Jorkut.

Analisti Larry Diamond thotë se Jamal Khashoggi kishte marrë të drejtën e banuesit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara dhe Uashingtoni nuk mund ta injorojë zhdukjen e tij.

“Mendoj se duhet trajtuar si sulm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe demokracisë amerikane”.

Gazetarët kanë qenë ndër zërat më të fuqishëm që kanë kërkuar drejtësi për kolegun e tyre.

“Do të doja që Presidenti Trump për shembull të kërkonte me ngul më shumë informacion nga Arabia Saudite, të kërkonte që të tregonin çfarë ndodhi. Mendoj se është e rëndësishme që të shohim këtë qëndrim në nivelet më të larta të qeverisë,” thotë Robert Mahoney i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se gazetaria e pavarur dhe informative është në krizë në shkallë globale. Aktualisht më shumë se 266 gazetarë dergjen në burgje në shkallë globale, 44 kanë gjetur vdekjen brenda këtij viti, nga të cilët 27 janë vrarë.

 

Fraksion.com