“Babalja”: Mbyllet hetimi
Pas administrimit të 15 deklarimeve, mes tyre edhe politikanë, Krimet e Rënda mbyllin hetimet për dosjen “Babale”. Sipas Report Tv dosja do t’i kalojë për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të kallëzimit të rremë.
Dy javë më parë Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti.
“Babalja” pretendon se ka regjistruar Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, nuk vërtetohet se zëri që dëgjohet në audio është i Agron Xhafajt. Ndërsa nga ana tjetër, ishte dëshmia e Fredi Alizotit në Prokurori i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.
Urdhër-arresti për Fredi Alizotin është ekzekutuar, ndërsa për Albert Veliun Gjykata e Prishtinës vendosi të rrëzojë kërkesën e autoriteteve shqiptarë për të mbajtur në burg “Babalen”, pasi ai kishte aplikuar për statusin e azilantit, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë iu është drejtuar autoriteteve të Kosovës me një shkresë ku kërkon ekstradimin e “Babales”.
Për dosjen “Babale” kanë dëshmuar në Prokurori zyrtarë të lartë të shtetit si kryetari i grupit parlamentar socialist Enkelejd Alibeaj, deputetët e PD, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, eksponenti pranë PD, Sali Lushaj si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Fraksion.com