Ekspert gjerman i nivelit të lartë në Policinë e Shtetit në Shqipëri
Gjermani-Shqipëri: Bashkë kundër krimit të organizuar, migracionit ilegal, terrorizmit ndërkombëtar. Përfundoi vizita zyrtare në Tiranë e Dieter Romann, Drejtor i Policisë Federale Gjermane.
Ai tha se Gjermania dhe Shqipëria “kanë interesa të përbashkëta, që përputhen 100 % me njëra-tjetrën për të cilat duhet të punojmë bashkërisht që t’i realizojmë”.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tha në konferencën e përbashkët për shtyp, se “Shqipëria e konsideron Gjermaninë një partnere të rëndësishme strategjike në fushën e sigurisë dhe rendit publik”.
Bashkëpunimi gjermano-shqiptar afatgjatë dhe strategjik
Bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve në këto fusha ka sjellë rezultate të prekshme në Shqipëri. Dieter Romann solli shembuj konkretë të progresit në sajë të bashkëpunimit me Gjermaninë. “Drejtoria e Policisë së Kufirit në Shqipëri ka shënuar një progres të konsiderueshëm në aplikimin e procedurave të përbashkëta me ato gjermane, në luftën kundër krimit të organizuar”, tha Dieter Romann.
Më e rëndësishmja shkëmbimi intensiv i informacioneve
Diapazoni i bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe të rendit publik është i gjerë: që nga shkëmbimi i informacionit, kualifikimi, projekte të përbashkëta, mbështetje me logjistikë e policisë shqiptare. “Do të punojmë së bashku për një asistencë dhe bashkëpunim afatgjatë dhe strategjik. Për këtë duhet angazhim. Më e rëndësishmja është angazhimi ynë i përbashkëet në shkëmbimin intensiv të informacionit”, tha Dieter Romann në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë.
Shkëmbimi i informacionit është në fakt ҫelësi i rezultateve në të dyja vendet, kur është fjala për luftën kundër krimit të organizuar trans-nacional, emigracionit ilegal dhe terrorizmit ndërkombëtar.
Ekspert gjerman i nivelit të lartë në Policinë e Shtetit në Shqipëri
Dieter Romann bëri me dije se në kuadër të forcimit të mëtejashëm të bashkëpunimit mes dy vendeve së shpejti do të vijë në Shqipëri një ekspert gjerman i nivelit të lartë që do të ndihmojë “koordinimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve”. Një oficer ndërlidhës gjerman është angazhuar pranë Policisë së Shtetit që prej vitit 2013. Ndërkohë është dizenjuar edhe një projekt binjakëzimi mes dy vendeve në fushën e kualifikimit të strukturave dhe punonjësve të policisë në Shqipëri, që do të mundësojë zbatimin e standardeve gjermane në këtë fushë. Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë edhe për të sjellë pikat kalimit kufitar në standardet e atyre në vendet e BE-së/
Fraksion.com