Vazhdojnë përpjekjet për sqarimin e fatit të gazetarit saudit
Përpjekjet për të sqaruar se çfarë i ndodhi gazetarit të zhdukur saudit Jamal Khashoggi përparuan sot në disa fronte. Hetuesit turq përfunduan inspektimin e konsullatës saudite në Stamboll ndërkohë që Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u takua me udhëheqësit sauditë në Riad.
Rrjeti televiziv CNN dhe gazeta New York Times njoftuan se Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se Khashoggi u vra pasi hyri në konsullatë më 2 tetor. Njoftimet, që citojnë burime të paidentifikuara, thanë se qeveria saudite do të pohojë se vdekja e Khashoggit erdhi për shkak të një operacioni për marrjen e tij në pyetje që shkoi keq.
Deri tani, zyrtarët sauditë kanë mohuar me forcë akuzat e Turqisë se Khashoggi është vrarë, duke thënë se ai u largua vetë nga konsullata. Asnjëra palë nuk ka publikuar prova të qarta për të mbështetur pretendimin e saj dhe të dy qeveritë ranë dakord për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për të hetuar zhdukjen e gazetarit.
Pas bisedimeve sot me Mbretin Salman të Arabisë Saudite, Departamenti i Shtetit tha se Sekretari Pompeo “falënderoi Mbretin për angazhimin e tij për të mbështetur një hetim të plotë, transparent dhe të shpejtë për zhdukjen e Jamal Khashoggit”. Zoti Pompeo gjithashtu u takua me Ministrin e Jashtëm Saudit Adel el-Jubeir dhe princin e kurorës Mohammed bin Salman.
Presidenti Donald Trump tha dje se po e dërgonte sekretarin Pompeo tek aleatja e SHBA, Arabia Saudite “për të zbuluar realisht se çfarë ndodhi”.
“Ne duam të zbulojmë se çfarë ndodhi dhe ai ka udhëzime për të gjetur se çfarë ndodhi”, tha zoti Trump.
Presidenti tha se mbreti Salman në një telefonatë me të të hënën mohoi të kishte ndonjë dijeni për fatin e Khashoggit, i cili në shkrimet e tij për gazetën Washington Post ishte kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, princit të kurorës Mohammed bin Salman.
David Mack, studiues në Institutin për Lindjen e Mesme dhe ish ambasador, i tha Zërit të Amerikës se ajo për të cilën akuzohet Arabia Saudite do të ishte e vështirë të kalohej lehtë në Shtetet e Bashkuara, por do të ishte e mundur të kalohej pa u ndështuar në Arabinë Saudite, duke pasur parasysh kontrollin e saj të rreptë ndaj medias dhe disiplinën e imponuar nga familja mbretërore.
Khashoggi jetonte në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara. Ai shkoi në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë dokumente për t’u martuar me të fejuarën e tij turke, Hatice Cengiz, e cila priste më kot jashtë konsullatën që ai të kthehej.
Presidenti Trump tha për progamin “60 Minutes” të rrjetit CBS se Arabia Saudite do të përballet me “ndëshkim të rëndë” nëse përcaktohet se Khashoggi u vra brenda konsullatës saudite, por Riad nuk e përfilli kërcënimin e SHBA dhe tha se do të hakmerret nëse Presidenti Trump ndërmerr ndonjë veprim kundër Arabisë Saudite .
Si protestë ndaj zhdukjes së Khashoggit, disa udhëheqës amerikanë të bizneseve janë tërhequr nga Iniciativa për Investimet e së Ardhmes, një konferencë e quajtur “Davosi i shkretëtirës”, që mbahet javën tjetër në Rijad.
Fraksion.com