AktualitetBota+Të fundit

Arrestohet biznesmeni, ligjërisht i vdekur

Policia e quante atë “Mbreti i Kështjellës”, ndërsa përdorte një certifikatë vdekjeje për të shmangur arrestimin, teksa jetonte në një kështjellë i rrethuar nga veprat e artistit të madh Salvador Dali dhe të Rolls Royce Phantom.

Dje, EUROPOL njoftoi se kishte kapur një të arratisur nga Ukraina të “profilit të lartë”, arrestim i kryer më 5 tetor. Burri po shijonte një “mënyrë jetese të shkëlqyer në Francë” dhe besohet të “jetë pas një rasti kompleks të mashtrimit ndërkombëtar dhe pastrimit të parave”.

Tre burra të tjerë u arrestuan gjithashtu – dy ukrainas dhe një moldav. Dy gra ukrainase janë vendosur nën hetim.

Xhandarët gjithashtu kapën 4.6 milion euro bizhuteri dhe prona, duke përfshirë një kështjellë mesjetare të identifikuar si Chateau de la Rochepot, e cila deri vonë i përkiste trashëgimtarëve të ish-presidentit francez Sadi Carnot.

Ndërsa nuk është identifikuar nga agjencia evropiane e zbatimit të ligjit, një gazetar në Ukrainë tha për Radion Evropa e Lirë, se i arrestuari është Dmytro Malinovskiy, biznesmen nga Odessa, i kërkuar nga policia vendase që nga viti 2015 nën akuzën e mashtrimit të rëndë dhe falsifikimit në lidhje me pronat e Ministrisë së Mbrojtjes në qytetin port pranë Detit të Zi.

Europol tha se autoritetet franceze nisën në janar një hetim mbi transaksionet e dyshimta që lidhen me blerjen e një “kështjelle prej 3 milion euro në rajonin Burgundy nga një kompani me bazë në Luksemburg”.

Më vonë u zbulua se pronari i fundit i kështjellës ishte i kërkuar në Ukrainë për korrupsion në shkallë të gjerë, por kishte arritur të shmangte drejtësinë duke prodhuar “një certifikatë vdekjeje të falsifikuar”, tha Europol.

Agjencia e bazuar në Hagë tha se ishte koordinuar me autoritetet franceze, ukrainase dhe luksemburgase për të vërtetuar se i dyshuari “jo vetëm që ishte i gjallë, por gëzonte një mënyrë jetese luksoze në Francë”.

 

Fraksion.com