AktualitetBota+Të fundit

A ishte pengmarrja në Këln akt terrorist?

Në stacionin hekurudhor në Këln është kthyer normaliteti. Por hetuesia nuk përjashton motivet terroriste të pengmarrjes së të hënës . Ende nuk dihet nëse letërnjoftimi i gjetur i takon sirianit të arrestuar.

Policia po heton në të gjitha anët pengmarrjen (15.10) në Këln. “Nuk mund të përjashtojmë as sfondin terrorist të kësaj pengmarrjeje”, tha zëvndësshefi i policisë së Këlnit, Miriam Brauns. Dy gra janë lënduar, ndërsa gjatë ndërhyrjes së policisë u plagos rëndë edhe pengmarrësi. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert përmes një mesazhi në Twitter falënderoi për ndërhyrjen e forcave të sigurisë: “Mendimet tona janë tani tek gratë e marra peng, me shpresë që ato do të shërohen shpejtë”. Situata në stacionin hekurudhor në Këln është normalizuar, pas një bllokade që ka zgjati me orë të tëra.

Çfarë ka ndodhur?

Të hënën (15.10) në mbrëmje policia kumtoi të dhënat e ditës: Pengmarrësi u fut në një lokal fast food dhe hodhi një koktej molotov. Një vajzë 14-vjeçare u plagos në këmbë, ndërsa një grua u helmua prej gazrave. Pas alarmimit të policisë, sulmuesi u largua dhe hyri në një farmaci. Atje ai mori peng një punonjëse. Disa dëshmitarë thonë, se ai atje ka thënë se i takon grupit terorirst “Daesh”. “Daesh” është emri arab për “Shtetin Islamik”.

Në farmaci ai e kërcënoi të punësuarën me djegie. Policia e kuptoi shumë shpejtë që ai kishte mundësi për vënien e zjarrit në farmaci. Pengmarrësi kërkonte që ta lejojnë të largohet i lirë si dhe kërkonte lirimin e një shtetasi të Tunizisë. Ai kërkonte që t’i kthehet edhe një çantë që i kishte mbetur në restorant. Pas nuhatjes së erës së benzinës, policia ka vendosur të ndërhyjë. Njësia speciale (SEK) ndërhyri në farmaci. Policia thotë, se pengmarrësi kishte nxjerrë një armë, ndonëse nuk dihej nëse ajo ishte e vërtetë apo lodër. Polica hapi zjarr duke e goditur pengmarrësin. Një mjeke e njësisë antiterroriste GSG 9 i ofroi ndihmën e parë pengmarrësit. E gjitha përfundoi pas dy orësh.

Letërnjoftimi

Pas përfundimit të pengmarrjes, hetuesia ka nisur punën për të konstatuar identitetin dhe motivet e këtij personi. Në vend të ngjarjes policia ka gjetur një letërnjoftim, të lëshuar nga qyteti i Këlnit, për një sirian i lindur në vitin 1963. Shefi i policisë kriminale në Këln, Klaus-Stephan Becker, thotë se dokumenti “sipas të gjitha gjasave” i takon personit të plagosur dhe të arrestuar. Personi nga letënjoftimi ka qenë arrestuar dhe dënuar disa herë. Por ende nuk dihet me siguri të plotë, nëse letërnjoftimi i takon këtij personi./DW

 

Fraksion.com