AktualitetBota+Të fundit

Zhdukja gazetarit, Turqia kontrollon sot konsullatën saudite

Zyrtarët turq, që po hetojnë zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, do të kontrollojnë sot konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll .

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme turke për BBC, e cila tha se kontrolli do bëhet nga një ekip i përbashkët turk-saudit pasditen e së hënës ose në mbrëmje (15 tetor).

Arabia Saudite ra dakord javën e kaluar për të lejuar zyrtarët turq që të kontrollonin ndërtesën, por këmbëngulën se do të ishte vetëm një inspektim sipërfaqësor “vizual”.

Turqia e hodhi poshtë ofertën, ndërsa u raportua se hetuesit donin të kërkonin në konsullatë me luminol, një kimik që tregon çdo gjurmë gjaku.

Autoritetet turke besojnë se gazetari u vra në konsullatë nga agjentët sauditë gati dy javë më parë, por Riad e mohon këtë.

Presionet diplomatike ndaj Mbretërisë për të dhënë një shpjegim më të plotë për zhdukjen e tij, janë duke u rritur.

Të hënën, mbreti Salman i Arabisë Saudite urdhëroi një hetim mbi çështjen.

“Mbreti ka urdhëruar prokurorin publik të hapë një hetim të brendshëm mbi çështjen Khashoggi bazuar në informacionin e ekipit të përbashkët në Stamboll,”-tha një zyrtar i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.

Javën e kaluar, Turqia pranoi një propozim të Arabisë Saudite për të formuar një grup të përbashkët që do hetojë zhdukjen e Khashoggi.

Masat e fundit vijnë pasi më shumë figura të mëdha të biznesit thonë se nuk do të marrin pjesë në një konferencë të madhe investimi që do mbahet në Riad më vonë këtë muaj.

 

Fraksion.com