AktualitetKosovaTë fundit

UNDP dhe Gjermania, kundër përdorimit të jashtëligjshëm të armëve në Kosovë

Ambasadori gjerman, Christian Heldt, dhe koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, njëherësh përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Ulrika Richardson, kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë të përgjithshme mbi 130 mijë euro për mbështetjen e sektorit të sigurisë në Kosovë.

Ulrika Richardson falënderoi Republikën Federale të Gjermanisë për përkrahjen e projektit, i cili ka të bëjë me përforcimin e luftës kundër përdorimit të jashtëligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta.

“Gjermania  i ka dhënë mbështetje të madhe OKB-së dhe UNDP-së. Gjermania  do të fillojë në 2019 të punojë me Këshillin e Sigurisë, sidomos në multilateralizëm dhe gjithashtu e dimë se në përgatitjen e tyre për të fituar një ulëse në ditët e ardhshme, kjo ka qenë informim i tyre që është plan i qëndrueshëm në paqe”.

Sipas Richardson-it, lufta kundër përdorimit të jashtëligjshëm të armëve  është element kryesor në sigurimin e paqes.

“Luftimi kundër përdorimit të armëve ka qenë elementi kryesor në sigurimin e paqes dhe një shoqërie të sigurt. Është element i rëndësishëm i punës sonë këtu dhe në rajon.  Në fakt është gjithashtu një prej strategjive tona që ta përforcojmë sigurinë e njerëzve në nivel të komuniteteve. Kemi punuar në mbështetje me Gjermaninë dhe partnerët tanë, sidomos me Ministrinë e Punëve të Brendshme”.

Richardson theksoi se një numër i tragjedive të mëdha janë pasojë e përdorimit të armëve.

“Kemi punuar me mekanizmat shumë-institucionalë për ta luftuar përdorimin e  jashtëligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta. I dimë shumë mirë pasojat e këqija të përdorimit të armëve në shoqëri. Kemi parë shumë shpesh këto pasoja dhe një numër i tragjedive të mëdha janë pasojë e përdorimit të armëve”.

Richardson u zotua për ta vazhduar edhe më tutje luftën drejt një ambienti më të sigurt për gjeneratat e ardhshme.

Ndërkaq ambasadori gjerman, Christian Heldt, u ndje krenar që Gjermania po merr pjesë në financimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me heqjen nga qarkullimi të armëve të vogla dhe të lehta.

“Mendoj se me krenari ne po marrim pjesë në financimin e aktiviteteve në fushën e kufizimit dhe heqjes nga qarkullimi të armëve të vogla dhe të lehta. Uroj punën e ekipit të UNDP-së që e kanë bërë bashkë me SISAK-un”.

“Në disa fusha Kosova ka bërë progres të shkëlqyeshëm, për shembull në fushën e Forenzikës kemi parë këtë progres, por ka një progres që ka arritur sidomos me angazhimin e ekipit të UNDP-së me partnerët kosovarë. Në këtë aspekt jemi krenarë të vazhdojmë të bashkëpunojmë me UNDP-në duke synuar përkrahjen e shtetit kosovar, duke rritur sigurinë e qytetarëve të Kosovës”.

Ambasadori Heldt shtoi se përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta është një problem i përhapur në tërë kontinentin e Evropës në përgjithësi.

“Nëse flasim për aspekte të integrimeve evropiane, duhet të them se siguria është diçka që duhet të shihet si e mirë e pandalshme e mirëqenies së qytetarëve. Ne po punojmë në sigurinë e Kosovës dhe ky është një benefit. Përdorimi i armëve është një rrezik me të cilin ballafaqohemi në tërë kontinentin e Evropës në përgjithësi”.

Kjo iniciativë, pjesë e Projektit të Sigurisë së Kosovës (KSSP), synon mbështetjen e institucioneve të Kosovës në kontrollimin e posedimit dhe qarkullimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe përmirësimin dhe hetimin e krimeve me armë./EO

 

Fraksion.com