Rama: Kundërpërgjigje shkelësve të ligjit, duke filluar nga “të fortët” si ata të Bllokut
Gjatë një takimi me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Kryeministri Edi Rama kërkoi më shumë angazhim të unformave blu në luftën ndaj krimit
Kryeministri tha se media dhe opozita, po baltosin punën e policisë dhe po krijojnë një përceptim të gabuar tek qytetarët në raport me rendin dhe sigurinë në vend.
“Shpifjet mediatike për të krijuar tek njerëzit e këtij vendi përceptimin e pasigurisë dhe kriminalitetit të dalë jashtë kontrollit meriton një kundërpërgjigje. Si kundërpërgjigje shumëfishimin imediat ndaj krimit dhe çdo shkelësi të ligjit, që nga të fortët e llojit të atyre që sollën përgjakjen më mes të Bllokut në Tiranë deri tek kundravajtësit që shkelin rregullat e qarkullimit, dëmtojnë mjedisin, apo cënojnë në një formë apo tjetër qetësinë e komunitetit.
Kriza ulëritëse e politikës që synon të helmojë gjakun dhe errësojë sytë e publikut është një mundësi që duhet shfrytëzuar për të dhënë gjithçka, një shtysë për të mbledhur të gjitha fuqitë dhe ngjitur në një shkallë tjetër policinë e shtetit.Kriminaliteti matet me statistika por vlerësohet dhe me përceptim. Statistikat janë nga dje dhe sot në anën tonë, flasin qartë se ku ishte dhe ku është vendi në raport me krimin vit pas viti. Por lufta e egër politike dhe mediatike për të krijuar përceptimin e kundërt as nuk do ndalet, as do zbutet. Vetëm do përshkallëzohet.
Më shumë shpifje, fabrikime, aktorë audiosh dhe videosh: Krimi, krimi. Krimi në konferencë, krimi në postim, krimi në debat, krimi në komente, krimi në mëngjes, drekë, darkë. Puna juaj është të kundërpërgjigjeni ndaj kësaj barbarie politike dhe mediatike me fort dhe më qartë se asnjëherë me shumë më tepër rezultate se deri më sot, në çdo drejtim dhe shumë më shpejt se deri sot.”
Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje policëve që të mos pengohen nga shpifjet në punën e tyre. Ai tha se me opozitën apo akuzues të tjerë, nuk duhet replikuar në publik, por shpifjet të dërgohen në gjyq.
Fraksion.com