AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Ardi Veliu të arrestohet! Rama, Xhafaj dhe Marku të hetohen

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje prokurorëve që të mos hezitojnë të nxjerrin fletët e arrestit për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtorin e Policisë së Fierit, në kuadër të hetimeve për dosjen “Babalja”.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha tha se ka prova që Fredi Alizoti është një aktor i paguar nga qeveria. Për deputetin Taulant Balla, kryedemokrati kërkoi heqje të mandatit dhe të hetohet. Ashtu sikurse edhe për Kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Basha i akuzon për manipulim dhe fabrikim të provave, dhe për këtë ka kërkuar që prokurorët të refuzojnë urdhërat e pëndershëm, por të zbatojnë ligjin. Të njëjtën thirrje, kryetari i PD u bëri edhe policëve, socialistëve dhe gazetarëve, që të denoncojnë krimin dhe të distancohen nga ajo që Basha e quan “regjimi kriminal i Edi Ramës.

“Deri tani nuk ka filluar ende asnjë hetim për Taulant Ballën, për Ardi Veliun, për drejtorin e Policisë së Fierit. Ata që mendojnë se mund të bëjnë krime se do t’i mbrojë Edi Rama, e kanë gabim. Pushteti i Edi Ramës ka marrë fund. Ju bëj thirrje prokurorëve të ndershëm që t’u rezistojnë urdhrave të pandershëm. Besnikëria juaj duhet të jetë ndaj Kushtetutës dhe jo ndaj politikanëve të inkriminuar.

Ju bëj thirrje burrave dhe grave me kurajo në Prokurori, që në zbatimi të ligjit të nxjrrin fletë-arreste për Ardi Veliun dhe drejtorin e Policisë së Fierit dhe të nisin hetimet ndaj Taulant Ballës, Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës. Veproni sa nuk është vonë, jo vetëm sepse kështu ua kërkon ligji, por vetëdijësohuni se nga veprimi dhe mosvperimi juaj sot varet stabiliteti i vendit dhe paqja sociale. Ju bëj thirrje policëve të ndershëm që të mos paraqiten me kokën ulur përpara Kryeministrit. Mos pranoni që të trajtoheni si shërbëtorë të tij. Ju bëj thirrje gazetarëve që të bashkohen në përpjekjen për të denoncuar krimin.

Ju bëj thirrje edhe socialistëve të ndershëm që të distancohen nga regjimi kriminal i Edi Ramës. Duhet të distancoheni sot për të shpëtuar partinë tuaj. Partia Demokratike dhe opozita nuk tërhiqen asnjë çast për çlirimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë nga krimi. Beteja e nisur do të shkojë deri në fund“, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

 

Fraksion.com