Ushtria siriane paralajmëron banorët e Idlibit: Rrini larg xhihadistëve!
Ushtria e Sirisë i paralajmëroi të premten banorët në Idlib – bastionin e fundit që kontrollohet nga rebelët – që të qëndrojnë larg xhihadistëve, që duhet të ikin nga zona e sigurt, përpara se të skadojë afati.
Muajin e kaluar, Rusia, aleate e regjimit sirian, dhe Turqia, aleate e disa fraksioneve rebele, kanë krijuar një zonë të çmilitarizuar përreth Idlibit, për të shmangur një ofensivë masive të forccave qeveritare në provincën me rreth tre milionë banorë.
Zona e çmilitarizuar është thënë se synon të shmangë katastrofën humanitare.
Por, xhihadistët, të cilët, në bazë të marrëveshjes duhet të largohen nga zona e sigurt deri të hënën, nuk kanë treguar asnjë shenjë të ikjes.
Banorët në zonë kanë marrë mesazhe në telefonat e tyre mobilë nga ushtria siriane.
“Largohuni nga luftëtarët! Mos lejoni që terroristët t’ju marrin si mburoja njerëzore”, u tha në mesazhet e dërguara, raportojnë agjencitë e lajmeve.
Forca dominante e Idlibit, që është një aleancë e udhëhequr nga ish-bashkëpunëtorët e Al-Kaidës, dhe fraksionet e tjera xhihadiste kontrollojnë më shumë se dy të tretat e provincës.
Fraksion.com