AktualitetBota+Të fundit

Turqia liron pastorin amerikan; Zbut tensionin me SHBA

Një gjykatë turke liroi pastorin amerikan Andrew Brunson, duke i dhënë fund një mosmarrëveshje të ashpër diplomatike midis Uashingtonit dhe Ankarasë. Brunson përballej me 35 vjet burg nëse shpallej fajtor për terrorizëm dhe spiunazh, akuza që Uashingtoni i quajti të pabaza.

Përpara arritjes në SHBA, Brunson ishte planifikuar të shkonte me një aeroplan ushtarak amerikan në bazën ajrore Ramstein në Gjermani për një vlerësim mjekësor.

Të premten Gjykata e gjeti pastorin Brunson fajtor, por e dënoi me vetëm tre vjet e një muaj burg. Pastori kishte kaluar tashmë dy vjet në paraburgim dhe u lirua për kohën që kishte bërë.

“Kjo është dita që kishte pritur e gjithë familja ime,” u citua Brunson të kishte thënë gjatë seancës për shpalljen e dënimit në gjykatë.

Gjatë ditës së katërt të seancave të premten, tre dëshmitarë të prokurorisë i tërhoqën dëshmitë. Njëri tha se nuk e dinte se kush ishte Brunson, ndërsa të tjerët thanë se gjykata i kishte keqkuptuar deklaratat e tyre të mëparshme.

Çështja e pastorit është bërë pikë qendrore e një krize të pashembullt mes Turqisë dhe SHBA. Presidenti Donald Trump, pjesërisht si hakmarrje për ndjekjen penale të pastorit Brunson, e goditi Turqinë me tarifa tregtare në muajin gusht. Kjo bëri që lira turke të binte mjaft në vlerë.

“I jemi mirënjohës presidentit, anëtarëve të Kongresit dhe udhëheqësve diplomatikë të cilët vazhduan t’i bëjnë presion Turqisë për të siguruar lirimin e Pastorit”, tha avokati i  Brunson, Jay Sekulow në një deklaratë.

Të enjten në median amerikane pati njoftime sipas të cilave Uashingtoni dhe Ankaraja kishin arritur një marrëveshje, duke i hapur rrugën lirimit të pastorit.

“Po punojmë shumë për Pastorin Brunson!” shkruante Presidenti Trump të premten në mëngjes në Twitter, pak orë para se gjykata të merrte vendimin.

Ankaraja e ka hedhur poshtë me forcë çdo aludim se ka patur një marrëveshje. Kreu i mediave të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi komentin e Trump në Twitter.

“Do të dëshironim të kujtojmë edhe një herë se Turqia është një vend demokratik i sundimit të ligjit dhe se gjykatat turke janë të pavarura”, – tha zëdhënësi Fahrettin Altun.

“Lirimi i  Brunson është kyçi që marrëdhëniet turko-amerikane të kthehen në rrugën e duhur”, tha ish-diplomati i lartë turk Aydin Selcen.

Brunson kishte jetuar në Turqi që nga vitet 1990, duke drejtuar një kishë ungjillore. 50 vjeçari i përket të njëjtës kishë si Zëvendëspresidenti i SHBA Mike Pence dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe ishte bërë një pikë qendrore shqetësimi për bazën e votuesve evangjelistë të zotit Trump. Vëzhguesit thanë se lirimi i pastorit pak para zgjedhjeve të nëntorit është një fitore e madhe për Presidentin Trump.

Analistët thanë se dera është tashmë e hapur për zgjidhjen e shumë problemeve që i kanë tensionuar mjaft lidhjet mes dy vendeve partnere të NATO-s.

Lira turke u rrit të premten ndërkohë që investitorët ndërkombëtarë e shohin lirimin e pastorit si diçka që ul rrezikun që sektori financiar i Turqisë të shndërrohet në objektin e sanksioneve të ardhshme amerikane.

 

Fraksion.com