AktualitetBota+Të fundit

Rusia pezullon nisjen e anijeve në hapësirë

Agjencia ruse e hapësirës tha se ka pezulluar të gjitha nisjet e anijeve Soyuz, derisa të kryhen hetimet e një problemi që çoi në një aterim urgjent këtë javë.

Roskosmos e bëri njoftimin një ditë pasi astronauti amerikan, Nick Hague, dhe kozmonauti rus, Aleksei Ovchinin, u kthyen shëndosh në Tokë, pasi fluturimi i tyre u ndërpre pas nisjes nga objekti Baikonur në Kazakistan, një ditë më parë.

Agjencia tha se emergjenca është shkaktuar nga një përplasje e fazës së parë dhe të dytë të anijes kozmike.

Sergei Krikalyov, kozmonauti që udhëheq programin e fluturimeve në Roskosmos, tha se misioni i ardhshëm drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës është caktuar për në dhjetor. “Ne ende llogarisim në atë datë”, tha ai.

“Por, sigurisht, të gjitha do të varen nga rezultatet e hetimit”, shtoi Krikalyov.

Shefi i Roskosmos-it, Dmitry Rogozin, tha në një postim në Twitter se autoritetet e hapësirës planifikojnë të nisin Ovchininin dhe Haguen në hapësirë në pranverë të vitit 2019.

“Ata definitivisht do të fluturojnë”, tha Rogozin.

 

Fraksion.com