Mbyllen shumë kisha katolike në SHBA
Kisha Katolike është duke mbyllur famullitë në pjesën qëndrore dhe verilindore të Shteteve të Bashkuara për shkak të rënies së numrit të besimtarëve. Ndryshimet demografike dhe në përgjithësi prirja drejt laicizmit janë shkaqet e mbylljes, por rastet e abuzimit seksual në kishë gjithashtu e kanë përkeqësuar gjendjen. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Teresa Krug njofton nga shteti i Ajovës, ku disa anëtarë të kishës janë duke vënë në pikëpyejte arsyet e qëndrimit në kishën katolike.
Pas më shumë se një shekulli në shërbim të këtij komuniteti katolik të Mallardit në Ajovën veri-perëndimore, Kisha Shën Maria, dikur një nga më kryesoret e qytetit mbylli dyert e saj për herë të fundit gjatë kësaj vere.
“Nuk e prisnim këtë, nuk e kuptuam se si ndodhi dhe çfarë roli pati në jetën e njerëzve derisa u mbyll. Tani kur shohim njerëzit e kishës, gjëja e parë që u themi është ‘nuk të kam parë prej muajsh’”, thotë Bernie Kenyon, Ish anëtar i Kishës Shën Maria.
Kisha Shën Maria është mes dhjetra kishave katolike anembanë Shteteve të Bashkuara që janë mbyllur ose janë konsoliduar duke detyruar shumë besimtarë katolikë si Bernie Kenyon të kërkojnë kisha të reja.
“Pra, ne jemi ende duke u përpjekur ta gjejmë veten, disa nga anëtarët e famullisë po përpiqen të gjejnë kisha të tjera, një vend tjetër ku mund të mblidhen, sepse kjo famulli ka qenë shtëpia jonë e adhurimit”, thotë zoti Kenyon.
Por, ndërsa fermat e vogla po i hapin rrugën e fermave më të mëdha, shumë punonjës të rinj po largohen nga këto zona, duke lënë bosh kishat.
Por, rënia e numrit të anëtarëve kishave nuk është vetëm një problem rural. Edhe qytetet e mëdha kanë të njëjtin problem. Ndërsa, katolicizmi është ende një nga fetë më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, vetëm rreth 40 për qind thonë se shkojnë rregullisht në kishë.
At Brent Lingle, i cili mbikëqyr mbylljet e disa kishave, thotë se ka shumë arsye për rënien e numrit të anëtarëve të kishës.
“Si shoqëri në tërësi, gjatë këtyre dekadave të fundit, ne jemi bërë shumë më laikë. Roli i besimit dhe roli i kishës nuk është aq i rëndësishëm në jetën e familjeve siç ishte dikur”.
Por, të tjerë thonë se ndryshimi i qëndrimit të kishës ndaj abortit, divorcit, martesave të homoseksualëve dhe, kohët e fundit, ndaj rasteve në rritje të abuzimit seksual kanë ngritur pikëpyetje për shumë katolikë.
“Nuk kam marrë një mesazh të qartë nga njerëzit me të cilët flasë dhe takojë çdo ditë se ata janë të gatshëm të largohen nga kisha, por për herë të parë në një kohë të gjatë, ata janë të zemëruar dhe duan përgjigje”, thotë At Brent Lingle, Drejtor i Planifikimit, Dioqeza e qytetit të Sioksit.
Njoftimet e reja eksplozive rreth abuzimit nga klerikët në Pensilvani kanë bërë që shumë katolikë të ngrejnë dyshime ndaj besimit të tyre. Disa prej tyre kanë ndryshuar besimin, kurse të tjerët kanë hequr nga feja. Ashtu si shumë vizitorë të kishës, Bernie Kenyon thotë se edhe ajo dëshiron një përgjigje.
“Në kishën tonë, në familjen tonë, në rrethin tonë, ne nuk po dorëzohemi”, thotë At Lingle.
Shumë shpejt mund të mësohet ndikimi i plotë i skandaleve më të fundit tek numri i besimtarëve që shkojnë në kishë. Por për herë të parë, disa katolikë po luftojnë kundër traditave shekullore. Shumë prej tyre mendojnë se ka ardhur koha që besimet shekullore të vihen në dyshim, të tjerët pyesin veten nëse Kisha është ende e rëndësishme në botën në ndryshim, ku ata jetojnë.
Fraksion.com