ContourGlobal:“Kosova e Re” ndërtohet edhe pa mbështetjen e Bankës Botërore
Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, “ContourGlobal”, thonë se nuk do të zmbrapsen nga realizimi i projektit, pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të Bankës Botërore se nuk do ta mbështesin ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.
Joseph Brandt, themelues dhe menaxher i kompanisë “ContourGlobal”, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se “Banka Botërore është e parëndësishme për ta përmbyllur projektin ‘Kosova e Re’ në mënyrë të suksesshme, një projekt ky, që sipas tij, është kyç për të ardhmen e furnizimit me energji dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
“Roli i Bankës Botërore kurrë nuk ka qenë që të sigurojë financimin e projektit dhe deklaratat për këtë projekt nuk kanë asnjë ndikim në këtë projekt. Ne, së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi të vendosur për ta vazhduar me projektin”, thuhet në përgjigjen e “ContourGlobal”.
Po ashtu, Brandt, në emër të kompanisë, ka thënë se është i sigurt se do të sigurohen fondet e nevojshme në kohën e duhur, në mënyrë që ndërtimi të nisë në fillim të vitit 2019.
Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se ka 10 vjet që Banka Botërore ka qenë e angazhuar në këtë projekt dhe se i tërë projekti është realizuar sipas standardeve të kërkuara nga Banka Botërore.
Ai tha, po ashtu, se nga Banka Botërore nuk ka ardhur ende ndonjë dokument zyrtar që dëshmon përfundimisht se nuk e mbështet projektin.
Megjithatë, gjatë takimeve me përfaqësues të Bankës Botërore, këta të fundit, ishin shprehur më shumë në favor të energjisë nga burimet alternative, duke e cilësuar atë si më të leverdishme. Por, burimet e energjisë alternative nuk i sigurojnë Kosovës prodhimin bazë të energjisë elektrike, meqë ajo nuk posedon energji nukleare dhe as ujë të mjaftueshëm.
“Energjia e ripërtërishme për Kosovën nuk bën zgjidhje, sepse po flasim për energjinë bazë të vendit. Energjia e ripërtërishme në asnjë vend të botës nuk përdoret për energji bazë. Dhe, Kosova nuk mund të jetë eksperiment, sepse nuk është vend i zhvilluar dhe nuk kemi financim të pakufishëm”.
“Për këtë duhet të kemi kujdes që të ndërtojmë diçka që është stabile dhe prodhon energji 24 orë në shtatë ditë në javë. Nuk mund të prodhojmë energji vetëm kur ka kushte klimatike”, theksoi ministri Lluka.
“Ne jemi të detyruar nga aktet nënligjore të Bankës (Botërore)që të shkojmë me çmimet të ulëta dhe tashmë prodhimi i energjisë në burimet e ripërtërishme është më i lirë se sa qymyri. Pra, pa asnjë dilemë ne nuk do ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Kim në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po mbahen në Bali të Indonezisë.
Tërheqja e Bankës Botërore nga përkrahja e Termocentralit “Kosova e Re” ishte një lajm i mirëseardhur për shoqërinë civile, e cila me vite të tëra ka kundërshtuar dhe ka lobuar kundër këtij projekti, qoftë edhe duke u munduar ta bindë Qeverinë e Kosovës, apo duke lobuar kundër tek institucionet e Bashkimit Evropian dhe Banka Botërore.
Bizneset humbin miliona si pasojë e ndaljes së rrymës
Dajana Berisha nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), thotë se vendimi i Bankës Botërore për të mos e përkrahur këtë projekt, rrezikon fillimin e ndërtimit, pasi, sipas saj, pas Bankës Botërore mund të tërhiqen edhe institucionet tjera financiare.
“Nëse Banka Botërore ka thënë jo, atëherë edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim automatikisht do të tërhiqet. Pra, mbeten burime tjera të pasigurta që ndoshta do të mund të investojnë në këtë projekt”.
“Mirëpo, ne si KOSID i sigurojmë qytetarët ashtu siç kemi fituar betejën më Bankën Botërore do të fitojmë edhe beteja tjera në rast se paraqiten financues të dyshimtë për këtë projekt që është jo në të mirë të zhvillimit ekonomik të Kosovës ”, tha Berisha.
“Kosova e Re” nuk e zgjidh problemin me energji
Ndryshe, në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.
Përgatitjet për Termocentralin “Kosova e Re” projekt ky që përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë, kanë filluara para një dekade.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi. Thëngjilli që digjet në termocentralin “Kosova A” dhe “Kosova B” shërben si burim kryesor për prodhimin e energjisë elektrike për tërë vendin./REL
Fraksion.com