AktualitetTë fundit

Të rinjtë shqiptarë dyfishojnë shpenzimet për arsim; Heqin dorë nga ushqimet

Arsimi merr për familjet e reja  çerekun e shpenzimeve, madje më shumë  se për t’u ushqyer dhe strehuar.

Gjatë vitit 2017, sipas statistikave mbi shpenzimet e familjeve të publikuara nga INSTAT në Anketën e Buxhetit të Familjeve,  familjet me kryefamiljarë deri në 24 vjeç çuan për arsim 25.1% të shpenzimeve.

Në krahasim me një vit më parë shpenzimet për arsim janë rritur me 2.3 herë për familjet në moshë të re. Në 2016-n sipas të dhënave të INSTAT në Anketën e Shpenzimeve të Familjeve, arsimi zinte 10.5% të totalit të shpenzimeve.

Shtimi i shpenzimeve për arsim ka ardhur teksa tarifat për të u rritën me gati 15%. Tarifat për ciklin e studimeve bachelor në fakultetin e ekonomisë në 2016-n ishte rreth 30 mijë lekë, u bë 35 mijë lekë. Rritje të tarifave të studimit pati edhe për ciklet e tjera të studimit, shkruan Monitor.

Ndërkohë që kanë rritur shpenzimet për arsim, familjet e reja kanë ulur ato për ushqim dhe strehim, të cilat në strukturën e shpenzimeve të tyre zinin peshën kryesore.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në 2016-n pesha e shpenzimeve për ushqim ishte 31.3%, ndërsa në 2017-n kjo peshë do të ulej në 22.5%

Familjet e reja kanë ulur shpenzimet edhe për strehim. Shpenzimet për banesë zinin në 2017-n rreth 21.5% të totalit të shpenzimeve, nga 24.8% që ishin gjatë 2016-s.

Në total, këto tre grupe, arsimi, strehimi dhe ushqimi, kanë një peshë totale në strukturën e shpenzimit të tyre prej 69%.

Ndërsa kanë ulur shpenzimet për veshje dhe këpucë, familjet e reja shqiptare kanë rritur shpenzimet për restorante dhe hotele. Rreth 9.5% e totalit të shpenzimeve në 2017-n shkuan për restorante dhe hotele, nga 6.4% që ishin një vit më parë.

Kurse për sa i përket veshjeve dhe këpucëve, në 2017-n pesha e shpenzimeve për to ra me gati 1 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë, në 4.8% të totalit të shpenzimeve.

Shpenzimet për argëtim kanë pasur gjatë 2017-s një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë. Familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç shpenzuan për t’u argëtuar rreth 3.5% të të ardhurave.

Gjatë 2017-s, ato ulën edhe shpenzimet për komunikimin, ku sipas INSTAT shpenzimet për komunikim kishin një peshë prej 2.7% nga 3.1% një vit më parë.

 

 

Fraksion.com