Tabaku: Ja se çfarë thotë Indeksi i Bazelit
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka publikuar disa të dhëna, që sipas saj, faktojnë nivelin e lartë të pastrimit të parave në Shqipëri.
“Ndërsa qeveria dhe mazhoranca akuzojnë në kor opozitën se e ka fajin për çdo të keqe që ndodh në këtë vend, Indeksi i Bazelit, treguesi më zyrtar për pastrimin e parave, bëhet raporti i dytë ndërkombëtar që vendos alarmin se në Shqipëri po pastrohen paratë e krimit dhe të drogës. Mbas Departamentit Amerikan të Shtetit, Indeksi i Bazelit nënvizon edhe një herë Shqipërinë si një vend ku pastrohen paratë dhe që nuk ka asnjë përmirësim të ndjeshëm në raport me një vit më parë. Lojërat e fatit, ndërtimi dhe hoteleria dhe pikat e këmbimit janë fushat kryesore ku kjo ndodh”, thotë Tabaku në postimin e saj.
“Për fatin e keq, raporti nënvizon që Shqipëria është një vend i përfshirë në afera të korruptive dhe pastrimit të parave. Raportet e Bankës së Shqipërisë që flasin për sasi marramendëse të eurove që blihen nga ajo për të sjellë brenda një logjike ekonomike kursin e këmbimit, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit apo edhe ai i EUROPOL si dhe së fundmi deklaratat e zotit Kukan janë disa prej zërave që transmetojnë të njëjtin shqetësim. Shqipëria, sot është kthyer në djepin e preferuar të kriminelëve për të pastruar paratë. Indeksi i Bazelit 2018 nënvizon qartë se Lavatriçja më e madhe në Ballkan jemi fatkeqësisht ne, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë përmisime të ndjeshme. Jo vetëm kaq, por në renditjen e vendeve me të ardhura të mesme, ne renditemi pranë Venezuelës, Bostauanas apo edhe Meksikës. Një shenjë tjetër domethënëse është se Shqipëria në këtë raport renditet e treta në renditjen për vendet e Ballkanit Perëndimor duke pasur para vetes Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën”, shkruan deputetja Tabaku.
Fraksion.com