AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Bisedimet me Serbinë nuk sollën rezultate as teknike, e as politike

Lëvizja për Drejtësi po  konsideron se bisedimet e Kosovës me Serbinë në Bruksel nuk sollën rezultatet konkrete as teknike, e as politike.

Sipas kësaj partie, gjatë bisedimeve në Bruksel temat për interes të banorëve të Luginës së Preshevës mbetën nën hijen e pazareve politike.

“Edhe pse në këtë fazë të ashtuquajtur “Faza Finale” e bisedimeve, Lugina u aktualizua si element ekuilibrues, i cili u emërua herë si shkëmbim e herë si korrigjim, qytetarët e kësaj zone vazhdojnë të diskriminohen në shumë fusha,” thuhet në një komunikatë për medie, shkruan EkonomiaOnline.

Kjo parti shprehë shqetësimin se komuniteti serb në Republikën e Kosovës vazhdon t’i gëzojë të drejtat e shumta, përfshirë të drejtën që të pajisen me dokumentet identifikuese të të dy nënshtetësive.

“Ndërsa, Serbia, shqiptarëve të Luginës ua merr nënshtetësinë. Serbia me vite është duke bërë spastrim në regjistrin civil të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Shqiptarëve që martohen apo punojnë në Kosovë ua fshijnë adresën e mëparshme. Kështu banorëve të Luginës u pamundësohet të nxjerrin dokumente në vendlindjet e tyre, si rrjedhojë, banorëve të Luginës që jetojnë në Kosovë nuk u jepet e drejta e votës gjatë zgjedhjeve në Serbi.”

“Republika e Shqipërisë të paktën në kushtetutën e saj e parasheh mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të saj. Tërë këto diskriminime vazhdojnë t’u bëhen shqiptarëve, falë pakujdesisë politike dhe mungesës së vizionit kombëtar të institucioneve shqiptare. Lëvizja për Drejtësi kërkon drejtësi për qytetarët e Kosovës Lindore.”

Kujtojmë se një pjesë e anëtarësisë së Partisë së Drejtësisë, nuk ishte pajtuar me kryetarin Ferid Agani dhe kanë mbajtur një Kuvend të Jashtëzakonshëm në të cilin shkarkuan kryetarin e tyre.

Mirëpo, KQZ-ja nuk e njohu atë kuvend dhe kështu ky fraksion ka formuar “Lëvizjen për Drejtësi”.

 

Fraksion.com