AktualitetRajoniTë fundit

Zaev optimist për ndryshime kushtetuese në Kuvend

Partitë e koalicionit qeveritar vazhdojnë përpjekjet për të siguruar dy të tretat e votave në Kuvend për të miratuar ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin.

Ndryshimet janë proceduar të hënën nga qeveria dhe kanë të bëjnë me ndryshimin e preambulës dhe përshtatjen e pjesëve tjera me marrëveshjen që dy vendet kanë arritur më 17 qershor në Prespë të Greqisë.

Kryeministri, Zoran Zaev javën e kaluar kishte deklaruar se deri nga 10 tetori do të dihet nëse është arritur shumica e nevojshme në Kuvend. Ai edhe të martën përsëriti qëndrimin se partitë e koalicionit po bëjnë gjithçka për siguruar mbështetjen e nevojshme.

“Ne po bëjmë gjithçka, në një atmosferë miqësore, po bisedojmë me njerëzit dhe do të vazhdojmë të bisedojmë. Do të jetë mirë nëse ia arrijmë, por nëse nuk ia arrijmë atëherë të më thonë se çka pastaj. Unë jam optimist, qytetarët kishin mundësinë të vendosin dhe vendosën. Tani vendosi qeveria dhe pastaj do të vendos edhe Kuvendi”.

“Kthim prapa nuk ka pasi nuk ka edhe alternativë tjetër përveç integrimit në NATO dhe BE. Të gjithë duhet të punojmë në këtë drejtim”, ka deklaruar kryeministri Zaev duke shtuar se në rast se nuk arrihet zgjidhje në Kuvend, atëherë zgjedhjet do të jenë të pashmangshme, por, që sipas tij do të ishin të dëmshme për procesin e zbatimit të marrëveshjes me Greqinë.

“Ne nuk duhet asnjë ditë të humbim…Unë besoj se edhe opinioni është i lodhur nga zgjedhjet, jo vetëm ekonomia e afaristët, por edhe populli është lodhur nga zgjedhjet, andaj duhet të bëjmë çmos që këtë çështje ta zgjidhim në Kuvend. Nëse shkojmë në zgjedhje ne e dimë se kush do të fitonte, kush do të kishte dy të tretat, por në anën tjetër dy apo tre muaj kohë do të humbim”, ka deklaruar Zaev, duke shtuar se ndryshimet kushtetuese janë në përputhje të plotë më aspiratat e popullit për integrimet evropiane.

Ai hodhi poshtë pretendimet e opozitës se “me ndryshimet kushtetuese hiqet dorë nga identiteti dhe veçoritë tjera kombëtare të popullit maqedonas”.

Zaev tha se ndryshimet kushtetuese që do të bëhen në preambulë kanë për bazë luftërat e popullit për liri, pavarësi, shtet sovran, të pavarur dhe të barabartë për të gjithë ata që jetojnë në këtë shtet.

VMRO DPMNE-ja përmes një komunikate ka kritikuar vendimin e qeverisë për të proceduar ndryshimet në Kuvend.

“Qeveria e Zaevit paturpësisht vendosi që të mos e respektojë vullnetin e qytetarëve të cilët në referendum i thanë “JO” marrëveshjes kapitulluese të Prespës. Mbi 1.2 milion qytetarë i thanë qartë “JO” ndryshimit të emrit, identitetit, gjuhës dhe historisë së Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e opozitës duke akuzuar qeverinë edhe për ikje nga zgjedhjet e parakohshme.

 

Njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se zgjidhja duhet të kërkohet në Kuvend, pasi shkuarja në zgjedhje mund të ndërlikojë edhe më shumë gjendjen, meqë nëse mbështetësit e marrëveshjes nuk arrijnë të sigurojnë dy të tretat e votave në Kuvend, Maqedonia përfundimisht do të jetë në një situatë pa rrugëdalje.

“Në qoftë se nuk ka rezultate, atëherë si opsion mbeten zgjedhjet që për mendimin tim fare nuk janë të mira për vendin, qytetarët dhe sigurinë. Është e paparashikueshme se çfarë mund të ndodhë apo se cila palë do të arrijë të sigurojë shumicën në Kuvend, që mund të na çojë në një situatë edhe më të pavolitshme se sa raporti që është krijuar në institucionin ligjvënës mes forcave politike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Debati për ndryshimet kushtetuese në Kuvend vjen pas referendumit më 30 shtator në të cilin nuk u kalua pragu prej 50 për qind për miratimin e marrëveshjes me Greqinë./REL

 

Fraksion.com