AktualitetBota+Të fundit

SHBA, thirrje për një hetim transparent të zhdukjes së gazetarit saudit

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i ka bërë thirrje Arabisë Saudite që të mbështesë një hetim të plotë dhe transparent mbi zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i cili nuk është parë që nga koha kur kishte hyrë në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll javën e kaluar.

Zyrtarët turq kanë thënë se zoti Khashoggi është vrarë brenda konsullatës, ndërsa Arabia Saudite thotë se ai në mënyrë të sigurtë është larguar nga ndërtesa.

“Ne kemi parë njoftime kontradiktore mbi sigurinë dhe vendndodhjen e gazetarit të njohur saudit, kontribues i gazetës Washington Post, Jamal Khashoggi”, thuhet në një deklaratë të Sekretarit Pompeo të lëshuar të hënën vonë. “Zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit kanë folur me Mbretërinë e Arabisë Saudite përmes kanaleve diplomatike në lidhje me këtë çështje”, thuhej më tej në deklaratën e Sekretarit të Shtetit.

Komentet e tij erdhën disa orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump shprehu shqetësimin e tij rreth situatës.

“Tani për tani askush nuk di asgjë për këtë. Nuk më pëlqen kjo”, tha Presidenti Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Turqia të hënën kërkoi leje për të kontrolluar konsullatën saudite për të kërkuar të dhëna mbi fatin e gazetarit. Princi saudit Salman bin

Mohammed tha javën e kaluar se Rijadi ishte “i gatshëm të lejonte kontrollet nga qeveria turke në pronën e tyre,” sepse sipas tij nuk kishte “asgjë për të fshehur” në lidhje me zhdukjen e gazetarit.

Por nuk ishte menjëherë e qartë nëse zyrtarëve turq u ishte dhënë qasje në konsullatë pas kërkesës së bërë të hënën. Zyrtarët sauditë thonë se pretendimet e hetuesve turq se zoti Khashoggi është vrarë janë “të pabaza”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se zyrtarët saudit duhet të ofrojnë prova se zoti Khashoggi u largua nga ndërtesa e konsullatës pas mbërritjes atje të martën e kaluar për të marrë një dokument për martesën e tij të ardhshme. E fejuara e tij, shtetasja turke Hatice Cengiz, që e ka pritur atë jashtë konsullatës, ka thënë se ai nuk doli nga ndërtesa.

“Ne duhet të nxjerrim një rezultat nga ky hetim sa më shpejtë që të jetë e mundur. Zyrtarët e konsullatës nuk mund të shpëtojnë veten thjeshtë duke thënë se ai është larguar nga ndërtesa”, tha Presidenti turk Erdogan gjatë një vizite në Budapest.

Khashoggi, i cili kishte qenë kritik i qeverisë së Princit Salman, po jetonte prej rreth një viti e gjysmë në një azil të vetëimponuar në Shtetet e Bashkuara pas një goditjeje të Rijadit ndaj disidentëve të mbretërisë.

Protestuesit u mblodhën jashtë konsullatës saudite të hënën në kërkim të informacioneve mbi fatin e gazetarit Khashoggi. Ata mbanin parulla me mbishkrime “Ne nuk do të largohemi pa zotin Jamal Khashoggi”.

Senatori republikan Lindsey Graham tha se unë dhe ligjvënësit e tjerë “janë dakord se nëse pohimet për shkelje nga qeveria saudite janë të vërteta, atëherë kjo çështje do të kishte ndikim të rëndë në marrëdhëniet amerikano-saudite dhe do të shoqërohej me pasoja ekonomike dhe pasoja të tjera.”

Një zyrtar turk i tha agjencisë së lajmeve Reuters se “vlerësimi fillestar i policisë turke ishte se zoti Khashoggi ishte vrarë në konsullatën e

Arabisë Saudite në Stamboll. Ne besojmë se vrasja ishte e paramenduar dhe më pas trupi është larguar nga të konsullata”.

Burimet turke të agjencisë Reuters nuk thanë se si mendonin se ishte bërë vrasja e zoti Khashoggi.

Policia më parë tha se rreth 15 sauditë mbërritën në Stamboll të martën në dy fluturime të ndryshme dhe ishin në konsullatë në të njëjtën kohë kur aty ndodhej edhe gazetari Khashoggi.

Bordi i gazetës Washington Post të dielën tha se Arabia Saudite, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara “mbajnë përgjegjësi të pashmangshme” për të vepruar në përgjigje të zhdukjes së gazetarit Khashoggi.

Bordi i gazetës tha se Arabia Saudite duhet të identifikojë 15 zyrtarët që ishin në konsullatë dhe të tregojë me saktësi mbi atë që ndodhi brenda saj. Turqia, sipas bordit të gazetës amerikane, duhet të mbështesë me fakte përfundimin e saj se gazetari Khashoggi u vra duke bërë publike provat që mund të ketë.

Drejtorja për Lindjen e Mesme e organizatës Amnesty International, Lynn Maalouf Saeed tha se nëse njoftimet për vrasjen e zotit Khashoggi janë të vërteta, kjo “do të shënonte një pikë të zezë më të ulët dhe do të ishte një ekzekutim pa gjyq. Ky rast dërgon një mesazh tmerrues për mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite dhe disidentët kudo, duke shkatërruar çdo ide për strehim të sigurt jashtë vendit”./VOA

 

Fraksion.com