AktualitetPolitikëTë fundit

Qeveria: Të dënuarit për krime të rënda do mbahen të izoluar

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi marrjen e masave të rrepta të sigurisë në burgje ndaj personave të dyshuar apo të dënuar për përfshirje në krim të organizuar, apo dhe organizata terroriste. Ndryshimet në ligj, marrin si shembull legjislacionin italian, apo “rregjimin 41-Bis”, i parashikuar fillimisht në vitin 1986 dhe i përforcuar në 1992, menjëherë pas vrasjes nga mafia të prokurorit Giovanni Falcone, dhe parashikojnë, siç e përshkroi dhe kryeministri që kjo kategori të dënuarish apo të dyshuarish “t’i nënshtrohen një regjimi të ri, shumë të rreptë, izolimi dhe monitorimi, duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi të brendshëm dhe të jashtëm për të gjithë kohën e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit. Do të thotë se këta lloj përfaqësuesish të botës së krimit do të kenë kontakte shumë të kufizuara me qeniet e tjera njerëzore dhe shumë rreptësisht të monitoruara për të gjithë kohën e vuajtjes së dënimit të tyre”, tha zoti Rama.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se është vendosur “ngritja e një salle operative monitorimi non-stop me kamera të burgjeve të sigurisë së lartë, duke filluar nga burgu “313” dhe nga godina e operacionit “Forca e Ligjit”. Ndërkohë, në Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve do të ngrihet një sallë operative monitorimi non-stop e të gjitha institucioneve peniteciare të Republikës së Shqipërisë. Kjo e çon sigurinë e burgjeve, dhe luftën kundër korrupsionit kronik në burgje në një nivel të panjohur më parë”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se sipas tij kjo “mundëson reduktimin në nivele krejt minimale, për të mos thënë në zero, të të gjithë atyre aspekteve dhe fenomeneve si “futu e dil dhe fut e nxirr celular” dhe garanton se burgjet janë vende ku vuhet dënimi, jo vende ku komandohet bota e krimit”.

Qeveria ka vendosur gjithashtu të marrë masa të rrepta për të kufizuar dhe bastet sportive, lokalet e të cilave, kanë mbushur lagjet e thuajse të gjitha qyteteve. Sipas ligjit, duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike, në zonat qëndrore të qyteteve, dhe ato do të duhet të spostohen në periferi. “Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë. Në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km katror të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh kryeministri.

Deklaratat e tij,  Rama i bëri pas mbledhjes së sotme të qeverisë, por ndonëse ai foli për vendime të marra, në faqe e kryeministrisë ato nuk ishin të publikuara.

 

Fraksion.com