Basha: Regjistrimi është i vërtetë, Prokuroria, celulë kriminale
Në bashkëbisedimin e zhvilluar sot me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi Prokurorinë se është kthyer në celulë kriminale.
Sipas tij, me ardhjen e kryeprokurores Arta Marku dhe emërimin e Donika Prelës po shkatërrohen të gjitha hetimet për kriminelët duke i lënë ata të lirë të veprojnë.
“Prokuroria është kapur nga pushteti, kryeprokurorja Arta Marku është vendosur hapur në krah të krimit. Prokuroria është shpartalluar me emërimin e Donika Prelës, krahu i djathtë i Xhafës. Është kthyer në një celulë që shkatërron hetimet ndaj kriminelëve. Kjo është detyra që ka marrë përsipër celula e krijuar te Prokuroria”, tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur ashpër kreut të qeverisë, i cili më herët të martën tha se “Babalja” ishte një konspiracion për të rrëzuar qeverinë.
“Tani në këtë moment ku është, e vetmja që kontrollon Edi Rama është godina e Kryeministrisë, ka humbur çdo kontroll mbi territorin, mbi qeverisjen, ka përqafuar metodën enveriste të konspiracioneve. E dëgjuat si tha sot? Ne. Kush ne? Ti je ekzekutivi. Shteti dhe partia do të zbulojnë konspiracionin, kjo ishte metoda enveriste, sa herë kishte një skandal zbulonte konspiracionin. Dhe ky tani shikojeni ku ka degjeneruar, ku ka arritur mendja e tij, nuk arrin të pjellë imagjinata e tij as diçka fine, ka kaluar në të njëjtin fjalor si në kohën e Enver Hoxhës. Ka zbuluar konspiracione nga opozita për të rrëzuar pushtetin popullor. Vetëm një mendje e sëmurë mund të ketë një imagjinatë të tillë, banale, që të paraqesë situatën kriminale dhe lidhjet kriminale të pushtetarëve si konspiracion në kohën e Enver Hoxhës”, tha Basha, gjatë një bisede me gazetarë nga selia blu.
Kur u pyet për audio-përgjimin, Basha theksoi se videoja nuk është e manipuluar. “Regjistrimi është i vërtetë dhe zëri është i Agron Xhafajt”, tha Basha.
Fraksion.com