Audiopërgjimi i vëllait të Xhafajt, i arrestuari Alizoti: Do merrnim 200 mijë euro
Në Shqipëri, Fredi Alizoti, njëri prej të arrestuarve për audiopërgjimin e publikuar në muajin maj nga Partia Demokratike, ku implikohej vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, rezulton të ketë pranuar vetë se ai ka bërë rolin e Agron Xhafajt, në këmbim, sipas tij të një shume prej 200 mijë eurosh, që bashkëpunëtori tjetër Albert Veliu i kishte thënë se do i merrnin nga deputeti demokrat Ervin Salianji. Në dosjen që Prokuroria ka dërguar në Gjykatë, për të kërkuar në fundjavë arrestimin e Veliut dhe Alizotit, zbulohet se ky i fundit, ka deklaruar, gjatë seancës së parë të marrjes në pyetje në 1 Qershor, por dhe së fundmi më 27 Shtator, në prani të avokatit të tij, se Veliu i kishte kërkuar të bënin një rregjistrim bisede ku ai të hiqej sikur ishte Agron Xhafaj, vëllai i ministrit. Biseda sipas tij është bërë në një lokal përballë atij ku qëndronte Agron Xhafaj dhe ka zgjatur 3 minuta. Dy tre ditë para rregjistrimit ai ka treguar se kishin bërë prova dhe se Veliu e kishte instruktuar për ato që do të thoshte. Alizoti ka rrëfyer se përpara se biseda të bëhej publike ai kishte shkuar disa herë në selinë e Partisë Demokratike, ku Veliu ishte takuar me deputetin Salianji.
Në dosjen dërguar në Gjykatë, Prokuroria ka përfshirë edhe zbardhjen e përgjimeve të bisedave telefonike të kryera nga Alizoti, numri i të cilit ishte vënë nën kontroll që në muajin maj, me urdhër të gjykatës. Sipas teksteve të bisedave në të paktën tre raste Alizoti konfirmon faktin se ai ka luajtur rolin e Agron Xhafës. Ai në disa raste është shprehur i zhgënjyer që nuk ka marrë paratë e premtuara, ndërkohë që nga telefonatat që ai ka marrë nga Kosova nga Albert Veliu, i cili ka ërkuar atje azil, ky i fundit i kërkon të bëjë durim.
Prokuroria gjithashtu deklaron se nga analiza e telefonatave në ditën që Veliu pretendon se ka bërë bisedën në një lokal me vëllanë e ministrit, rezulton se ata kanë patur vetëm dy komunikime telefonike prej 20 dhe 29 sekondash, ndërsa nuk vërtetohet të jetë bërë ndonjë takim mes tyre, dhe se Veliu është nisur nga Vlora drejt Tiranës që pas orës 14.00, ndërsa ka deklaruar se e ka takuar Agron Xhafajn rreth orës 17.30 në Vlorë.
Nga analiza e tabulateve telefonike, Veliu ka kontaktuar fillimisht me deputetin Salianji më 20 tetor të vitit të shkuar, dhe vetëm një ditë më pas me gazetarin Jetmir Olldashi, i cili ka deklaruar se ka qenë ai që ka pajisur me një përgjues Veliun, në kuadër të një investigimi gazetaresk.
Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe Jetmir Olldashi, akuzohen nga prokuroria për “Kallzim të rremë”. Por ndërsa për dy të parët, masa e arrestit është parë e vlefshme dhe nga Gjykata, për gazetarin Olldashi u dha vetëm “Detyrimi për paraqitje”. Prokuroria sqaron se ajo po vijon më tej me hetimet për këtë rast./VOA
Fraksion.com