Arrestohen autorët e sulmit mbi dy të rinj shqiptarë në Serbi
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, tha të martën se policia e Novi Sadit, ka arrestuar katër persona të dyshuar për sulm ndaj dy të rinjve shqiptarë, të cilët janë rrahur në natën midis së shtunës dhe të dielës në këtë qytet.
Sipas tij “edhe pse hetimet e deritashme, përfshirë bisedat me të dyshuarit dhe njërin prej viktimave, tregojnë se incidenti nuk kishte motive etnike, policia do t’i hetojë të gjitha hollësitë rreth tij”.
Autoritetet serbe thanë se dy të rinjtë shqiptarë, njëri prej të cilëve i lindur në vitin 1999, u sulmuan nga një grup serbësh në Novi Sad, kryeqyteti i Vojvodinës, në rrethana ende të pasqaruara, natën ndërmjet së shtunës dhe së dielës.
Njëri prej të sulmuarve, që u identifikua si Çlirim Maloku, na rajoni i Prizrenit, pësoi plagë të rënda dhe mjekët kanë luftuar për jetën e tij. Të hënën në mbrëmje zyrtarë në Novi Sad thanë se gjendja e tij është e rëndë por e qëndrueshme.
Përfaqësues të organizatës joqeveritare “Amza e Shqiptarëve të Serbisë”, thanë se ata duket të jenë sulmuar vetëm sepse janë dëgjuar duke folur shqip me njëri tjetrin.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetet sociale se ky është një akt i pashembullt që dëshmon se lëvizja e lirë në shtetin serb nuk është e garantuar dhe çdo akt dhune është larg vlerave evropiane.
“Derisa Çlirim Maloku po lufton për jetë, nga lëndimet e marra, një shtet që negocion për anëtarësim në BE duhet të ndërmerr veprime të shpejta për ta zbardhur rastin. Dy të rinjve shqiptarë u uroj shërim sa më të shpejt, ndërsa sulmuesit të sillen para drejtësisë dhe të marrin ndëshkimin meritor”, shkroi ai.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli shkroi se ministria e tij po bën përpjekje “qoftë direkt, përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, qoftë edhe përmes kanaleve ndërkombëtare, të ndihmojmë në ofrimin e ndihmës për viktimat e këtij rasti, si dhe të ndërhyjmë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë”, shkroi ai duke nënvizuar se Serbia duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes e cila ushqen dhunë.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha mes tjerash se “Serbia duhet të dëshmojë se është e përkushtuar në mbrojtje të njerëzve, pa dallim etnie. Po ashtu, duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes e cila ushqen dhunën”.
“Emri i tij është Çlirim Maloku. Ai është nga Kosova. Emri i tij do të thotë Çlirim. Ai është lindur më ’99, vitin kur Kosova është çliruar nga okupimi serb. Javën e kaluar ai është rrahur në Serbi, sepse ka folur gjuhën e tij amtare”, shkroi në rrjetet sociale, ambasadorja e Kosovës ne Shtetet e Bashkuara.
Reagime në Serbi
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e dënoi sulmin duke theksuar se të gjithë qytetarët e Serbisë duhet të kenë mbrojtje të barabartë.
“Ne nuk jemi të egër, ky është vend i qytetëruar”, tha ai të hënën gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
“Si të kërkoj nga Jens Stoltenberg që serbët të jenë të mbrojtur në Kosovë, nëse nuk jemi në gjendje t’i mbrojmë qytetarët e nacionaliteteve të tjera në vendin tonë. Kjo duhet të dënohet në mënyrën më të ashpër, ndërsa kryesit duhet të dënohen në mënyrën më të rreptë”, tha ai.
Sulmin e dënoi edhe prefekti i Novi Sadit, Millosh Vuçeviç, duke theksuar se “ky nuk është Novi Sadi siç e njohim ne dhe kjo nuk është Serbia siç e duam”. Në një deklaratë lidhur me rastin ai tha se “një akt i tillë është ia paligjshëm, pandershëm dhe i pamoralshëm”.
Koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Vojvodina qytetare”, tha se që nëse vërtetohet se sulmi u krye për shkak të përkatësisë etnike, atëherë “kjo duhet trajtuar si krim shumë të rrezikshëm nga urrejtja dhe duhet të dënohet ashpër në mënyrë që të çohet porosia se diçka e tillë është absolutisht e palejueshme”.
Sulmi u dënua edhe nga Liga Socialdemokrate e Vojvodinës dhe disa parti në rajonin verior të Serbisë./VOA
Fraksion.com