AktualitetBota+Të fundit

Idlib, përfundon tërheqja e armëve të rënda nga vija e frontit

 Në kuadër të marrëveshjes Turqi-Rusi, ka përfunduar procesi i tërheqjes së armëve të rënda nga linja e çarmatimit në Zonën e Deeskalimit të Idlibit.

Siç njoftojnë gazetarët e AA-së në Idlib, opozitarët ushtarakë dhe forcat kundër regjimit kanë tërhequr armët e tyre të rënda nga hapësira e quajtur “Zona e Deeskalimit të Idlibit”.

Në kuadër të kësaj grupet pranë Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) dhe grupet e armatosura kundër regjimit, nga zonat të cilat janë në gjendje të vijave të frontit me regjimin e Bashar al Asadit, kanë tërhequr armët si mortajë, artileri, lançuesit Grad dhe lançues të raketave të cilat kanë mundësinë e qëllimit me rreze të mesme.

Gazetarët e AA-së të cilët ndjekin nga afër procesin në Zonën e Deeskalimit të Idlibit, kanë filmuar nga ajri armët e rënda të tërhequra nga opozitarët nga rajoni i çarmatimit.

Marrëveshja e Soçit

Pas propozimit të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në samitin e mbajtur në Teheran më 7 shtator për çështjen e Sirisë, Erdoğan dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin më 17 shtator në Soçi diskutuan për masat shtesë për mbrojtjen dhe fuqizimin e armëpushimit.

Marrëveshja e arritur parasheh që deri më 15 tetor të formohet një rajon i çarmatimit në një linjë prej 15-20 kilometrash dhe që auditimi i saj të bëhet nga zyrtarët turq dhe rusë.

Për këtë nevojitet që përgjatë vijave të tyre të frontit, opozitarët ushtarakë, grupi kundër regjimit Hay’at Tahrir al-Sham, ushtarët e regjimit dhe grupet e huaja terroriste mbështetëse të regjimit të tërheqin armët e rënda nga rajoni i çarmatimit, thellësia e të cilit do të përcaktohet në bazë të kushteve gjeografike.

Palët të cilat do të largohen nga rajoni me armët e tyre të rënda, do të vazhdojnë të mbrojnë vetë kufijtë e hapësirave të cilat i mbajnë nën kontroll. Shtetet garantuese Turqia dhe Rusia do të kryejnë patrullime të koordinuara në rajonin e çarmatimit, për të cilin janë përgjegjës.

Asadi kërcënon paqen në Idlib

Regjimi i Bashar al Asadit marrëveshjen e arritur në Soçi mes Turqisë dhe Rusisë e cilëson si një “veprim të përkohshëm” dhe pretendon se do të marrë përsëri nën kontrollë Idlibin.

Përderisa po vazhdon procesi i tërheqjes së armëve të rënda të grupeve opozitare ushtarake dhe të atyre kundër regjimit sirian, nga linja e çarmatimit, e cila do të formohet në vijat e frontit në Rajonin e Zonës së Deeskalimit në kuadër të marrëveshjes së arritur në Soçi, Asadi bëri një deklaratë e cila kërcënon paqen në Idlib.

Sipas lajmit të SANA-s, i cili është organi i lajmeve të regjimit, Asadi ka marrë pjesë në takimin e djeshëm të komitetit qendror të Partisë Baas.

Në takim Asadi ka folur në lidhje me marrëveshjen e Soçit, të arritur në mes të Turqisë dhe Rusisë në lidhje me Idlibin. “Marrëveshja e arritur në lidhje me Idlibin është një veprim i përkohshëm. Edhe Idlibi ashtu si rajonet tjera do të bëhet pjesë e shtetit të Sirisë. Në kuadër të marrëveshjes kemi arritur në disa përfitime në terren”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, sipas marrëveshjes së Soçit, gjatë ditës do të përfundojë tërheqja e armëve të rënda nga vija e frontit në Idlib të grupeve opozitare dhe të atyre kundër regjimit./AA

 

Fraksion.com