Flet Ervis Martinaj: Jep versionin e tij për ngjarjen
Pas atentatit që tronditi kryeqytetin të ndodhur mbëmjen e së enjtes në zonën e ish-Bllokut, ka dëshmuar një ndër protagonistët kryesor të konfliktit Ervis Martinaj. Sipas 36-vjeçarit, nëse atentatori donte vertetë t’a vriste mund ta kishte bërë, por nuk ka pasur lidhje me atë konflikt.
Duket se atentati i së enjtes në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë, Fabian Gaxha, dyshohet se ishte i paramenduar nga personi i shpallur në kërkim, Ervin Mata, njëherësh i fejuari i këngëtares së mirënjohur, Elvana Gjata.
Grupi hetimor pasi ka administruar pamjet e disa prej kamerave të sigurisë si edhe dëshmitë e protagonistëve kryesorë, si Ervis Martinaj dhe të administratorit të lokalit ku ndodhi vrasja, Redi Popesku, ka dalë në konkluzionin se komandoja Merviol Bilo ka reaguar vetëm në drejtim të një personi, i cili mbeti edhe viktimë.
Për këtë moment vetë Martinaj ka pohuar se nuk ka pasur probleme personale me Ervin Matën dhe të fejuarën e tij. E gjitha historia dyshohet se ndodhi pasi Fabian Gaxha në një nga lokalet e natës në kryeqytetit kishte ngacmuar Gjatën dhe për këtë arsye, Mata i kërkoi shpjegim mikut të Martinajt.
“Nëse donte të më vriste ai personi që qëlloi i pari në drejtim të Fabian Gaxhës mund ta kishte bërë edhe në drejtimin tim. Unë s’kam pasur lidhje fare në atë konflikt dhe kam raporte të mira me Ervin Matën. Ky i fundit nuk më kishte thënë asgjë se kishte probleme me Gaxhën. Më vonë mësova se ai që ka qëlluar ka ardhur nga jashtë lokalit pasi nuk ishte fillimisht në shoqërinë e Matës dhe miqve të tij në tavolinën tjetër të lokalit. Unë po rrija në një tavolinë me Redi Popeskun dhe një mikun tonë të përbashkët. Nuk është e vërtetë që unë ndodhesha në të njëjtin vend ku ishte Fabian Gaxha dhe Eljon Hato”.
Mesditën e së henës Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45 ditor për Geldo Hotin (Liçin), i arrestuar për të njëjtën ngjarje. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, i akuzuari për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ka rrëfyer versionin e tij për ngjarjen.
“Mbrëmjen e ngjarjes isha në lokalin e Redi Popeskut bashkë me Ervin Matën dhe disa persona të tjerë. Popesku na ofroi një shishe verë. Pas disa minutash janë futur tre persona. Ervin Mata shkoi dhe takoi njërin prej 0tyre. Patën një bisedë të shkurët dhe u kthye në tavolinë. Pas disa minutash u futën dy persona në derën e lokalit, njëri prej të cilëve u drejtua me sharje. Merviol Bilo u çua në këmbë dhe u konfrontuan fizikisht. Pati krisma, por nuk di të them kush qëlloi pasi unë u ula poshtë për t’u mbrojtur”.
Për konfliktin datës 4 Tetor janë shpallur në kërkim, tre persona; biznesmeni Ervin Mata, miku i tij Fabiol Alushi dhe komandoja, Merviol Bilo./abcnews.al/
Fraksion.com