AktualitetRajoniTë fundit

Bosnje-Hercegovina, pas zgjedhjeve: Asnjë shpresë pë një politikë të re

Zgjedhjet e së dielës (07.10) në Bosnje-Hercegovinë treguan se nuk priten ndryshime në shtetin e komplikuar boshnjako-hercegovinas.
Nacionalisti serb, Milorad Dodik arriti në votime të fitojë vendin e rezervuar për serbët në presidiumin tre krerësh të Bosnje-Hercegovinës. Politikani nacionalist që angazhohet për shkëputjen e Republikës Srpska nga Bosnja arriti të marrë 55% të votave. Dodik e ka cilësuar Bosnje-Hercegovinën “një shtet të dështuar” dhe kërkon të zhvillojë një referendum për shkëputjen nga ky shtet.

Ndërsa për boshnjakët myslimanë vendin përfaqësues në presidium e fitoi kandidati konservator, Sefik Dzaferoviç, i cili po ashtu përdori tone nacionaliste në fushatën zgjedhore. Nga pala kroate vendin përfaqësues e fitoi socialdemokrati, Zeljko Komsiç, i cili mundi në këtë garë nacionalistin e djathtë, Dragan Çoviç.

Zgjedhjet ishin një goditje për kroatët hercegovinas, që duan me një bojkot të ri të ndezin një krizë të re. Të hënën Komisioni Zgjedhor bëri të ditur se lideri që i ka drejtuar ata prej disa vitesh, Dragan Çoviç nuk ngjitet në presidiumin përfaqësues.

Çoviç bëri të ditur se tani është e mundur “një krizë e paparë ndonjëherë më parë.” Lideri nacionalist kroat kishte bërë të ditur, se në rast se humbet, etnia e tij do të bllokojë të gjitha institucionet në Bosnje-Hercegovinë.

Bosnja ka një sistem të komplikuar politik të vendosur me Marrëveshjen e Daytonit, që i dha fund luftës në Bosnje (1992-1995.) Ky vend përbëhet nga Republika Srpska dhe Federate myslimane-kroate.

 

Fraksion.com