Alarm për një krizë të mundshme bankare në Itali dhe Greqi
Në Europë po bien sirenat e alarmit për një krizë të re të sektorit bankar, në Itali dhe në Greqi.
Alarmi ka shoqëruar zhvillimet e javës së kaluar në bursën e Athinës, ku sektori bankar u godit në mënyrë të pamëshirshme për disa ditë rresht dhe sidomos banka e Pireut humbi një të pestën e vlerës, sipas analistëve europianë.
Për Italinë fqinje, shqetësimi buron në politikat fiskale populiste të qeverisë së koalicionit.
Sipas gazetës ekonomike gjermane “Handelsblatt”, brenda muajve të fundit, investitorët në bursën e Milanos kanë humbur 37 miliardë euro.
Gjithësesi, në Greqi situata e bankave është më komplekse.
Problemi më i madh janë kreditë e këqija, që arrijnë në 88,6 miliardë euro.
Sipas ekspertëve, kjo shifër është e barabartë me 48% të vlerës së gjithë kredive të dhëna nga bankat greke, ose gati 50% e GDP-së (prodhimit të përgjithshëm të brendshëm) të Greqisë.
Një tjetër “plagë” e sektorit bankar grek është se kanë fitime të pakta dhe me shifra të varfëra.
Bankat greke “vuajnë” pasojat e rimëkëmbjes së ngadaltë të ekonomisë vendase, që po përpiqet të marrë veten, pas nëntë vitesh recesioni të thellë.
Një tjerët arsye, ka të bëjë edhe situata e paqëndrueshme politike, një klimë e tejzgjatur periudhe elektorale, që shkakton shqetësim dhe pasiguri tek investitorët.
E ndodhur përballë këtij rreziku të ri, qeveria greke po shqyrton masat e mundshme, por ende nuk i ka hapur letrat e veta.
Siç vë në dukje gazeta gjermane “Die Welt”, kryeministri Tsipras “ka reaguar menjëherë. Tashmë, një tjetër plan shpëtimi për bankat është afër -me gjasë me paratë e taksapaguesve”.
Ndërsa gazeta tjetër, “Handelsblatt”, edhe pse thotë se “qeveria greke nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht mënyrën e mbështetjes së bankave”, vlerëson se “plani është i ngjashëm me modelin që kishin arritur në 2016 Italia dhe BE mbi përmirësimin e sektorit bankar, që ishte zbatuar me sukses”.
Ndërkaq, gazeta konservatore greke, “Kathimerini” nënvizon se “pyetja e madhe është se sa shteti grek do të mundë të ofrojë garancitë e domosdoshme në një plan të tillë, i cili nuk mund të avancojë pa marrë edhe miratimin e kreditorëve ndërkombëtarë të Greqisë”./oranews
Fraksion.com