AktualitetTë fundit

Kapet në Kakavijë një nga të përfshirët në vrasjën në ish-Bllok

Policia ka ndaluar në Kakavijë në tentativë për tu larguar për në Greqi një nga personat që dyshohet se ka qenë i përfshirë në ngjarjen e mbrëmeshme (4 tetor) në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Burimet bëjnë të ditur se policia ka ndaluar rreth orës 20:05 shtetasin Gledo Hoti 37 vjeç. Ai është shoqëruar për në Tiranë, për veprimet e mëtejshme.

Emri i të ndaluarit në Kakavijë është një emër i ri që del në këtë ngjarje, pasi policia ka publikuar të tjera identitete për personat e shpallur në kërkim.

Në njoftimin e bërë publik mesditën e sotme, policia sqaroi se në pranga u vunë shtetasit  Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë dhe Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër. Ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit Ervin Mata, 31 vjeç, Fabjol Alushi, 42 vjeç dhe Merviol Bilo, 41 vjeç, të tre banues në Tiranë.

41-vjeçari, Merviol Bilo, është efektivi i forcave komando, i cili dyshohet se ka qenë edhe personi që ka qëlluar me armë ndaj grupit të Martinaj.

Ngjarja ndodhi në një lokal në rrugën “Ibrahim Rugova” dhe sipas burimeve nga grupi hetimor bëhet e ditur se konflikti nisi për shkak të këngëtares Elvana Gjata.

Burimet thonë se tre personat që u qëlluan me armë kanë ngacmuar këngëtaren Elvana Gjata e cila më pas është shoqëruar në komisariat.

Një veprim i tillë ka shkaktuar dhe ndezjen e debatit, ndërsa personi që ka qëlluar me armë është Merviol Bilo, një efektiv i forcave komando, ekspert në përdorimin e armëve.

Mësohet se ai i është afruar tavolinës dhe menjëherë ka nxjerrë armën duke i qëlluar.

Për pasojë ka mbetur i vrarë Fabiol Gaxha, i cili mësohet se ka qenë në kërkim prej policisë.

Po ashtu të plagosur kanë mbetur 36-vjeçari Ervis Martinaj dhe 28-vjeçari Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër.

Përplasja mësohet se ka ndodhur në një nga lokalet e njohura në qendër të kryeqytetit në një ambient të veçuar. Madje mësohet se në lokal nuk ka pasur kamera duke shmangur filmimet pasi frekuentohej prej personazheve të njohura.

Pas ngjarjes zona e ish-bllokut është blinduar nga forcat e policisë. Në vendngjarje janë gjetur 11 gëzhoja armësh, si dhe tre armë zjarri tip “Glock”.

Po ashtu masa shtesë janë vendosur dhe në zonën e Spitalit të Traumës ku i plagosuri Hato, po merr mjekim. Për zbardhjen e ngjarjes policia ka shoqëruar mbi 20 persona.

Te plagosurit me plage ne goje dhe qafe

Mësohet se në zonën e Kopshtit Botanik është gjetur dhe një motor i braktisur. Eljon Hato ka një plumb në gojë dhe ndodhet në gjëndje të rëndë në spitalin e Traumës. Ervis Martinajka një plagë në qafë dhe ndodhet i shtruar në një spital privat.

Kush jane viktimat?  

Për t’iu shmangur forcave të rendit, Fabiol Gaxha (viktima) përdorte kartën e të vëllait ndaj dhe fillimisht u raportua se se i ekzekutuari ishte Rigers Gaxha. Nga ana tjetër Ervis Martinaj është një personazh i njohur për policinë. Ai ishte dënuar me 1 vit e katër muaj burgim, në akuzën e bashkëpunimit të vrasjes së Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Linzës në Tiranë, (nentor 2015)  pas një debati për çështje banale.

Policia thotë se “të arrestuarit Martinaj dhe Hato së bashku me viktimën Fabiol Gaxha janë  konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali  meb tre shtetasit në kërkim duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri- tjetrit”.

Nga të shtënat gjeti vdekjen e menjëhershme  28 vjeçari Gaxha, ndërsa Martinaj dhe Hato ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

 

Fraksion.com