Gjermania dhe Izraeli: Në një fazë të re të marrëdhënieve
Irani dhe shqetësimi për antisemitizmin në Gjermani – dy temat përcaktuese për vizitën e kancelares gjermane në Izrael. Merkeli është në vizitë me shumë ministra të kabinetit qeveritar.
Mendime të ndryshme për marrëveshjen atomike me Iranin
Në një takim me studentët në Jeruzalem Merkeli tha se pajtohet plotësisht me qeverinë e Izraelit se duhet penguar një armatim bërthamor i Iranit. Megjithatë për rrugën si duhet arritur kjo ka mospajtime. Kërcënimi i Izraelit nga Irani është rritur në mënyrë të konsiderueshme, tha Merkel. Në luftën civile siriane, trupat iraniane qenë pozicionuar menjëherë pas lartësive Golan.
Marrëveshja atomike ndërkombëtare e arritur me Iranin në vitin 2015 është një nga pikat qendrore të mosmarrëveshjes midis qeverive të Izraelit dhe të Gjermanisë. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu e akuzon Merkelin për një kurs shumë të butë përballë Teheranit. Sipas Netanjahut, marrëveshja çon miliarda dollarë në duart e Teheranit, që mbështet terrorizmin islamik. Në dallim nga SHBA, Gjermania dhe shtete të tjera të BE duan ta shpëtojnë marrëveshjen. Presidenti amerikan Trump që e ka braktisur marrëveshjen pret që BE ta pasojë.
Titulli i doktores së nderit për stilin e drejtimit të Merkelit
Më parë, në mëngjes, Universiteti Haifa i dha Merkelit titullin e Doktores së Nderit. Shkolla e lartë e argumentoi nderimin me stilin e drejtimit të kancelares, i cili bazohet në parimet e barazisë, të lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Në dhënien e çmimin në Muzeun e Izraelit, Merkeli e quajti miqësinë e ndërtuar me Izraelin një “dhuratë të paçmueshme”, pikërisht përballë Holokaustit.
Merkeli bëri në mëngjes edhe një vizitë në qendrën përkujtimore të Holokaustit Yad Vashem dhe vuri atje një kurorë. Me një shënim në librin e vizitorëve ajo kujtoi “krimet e pashembullta të thyerjes së civilizimit Shoah”.
Prej kësaj ushqehet “përgjegjësia e vazhdueshme e Gjermanisë për ta kujtuar këtë krim dhe për ta kundërshtuar antisemitizmin, armiqësinë kundër të huajve, urrejtjen dhe dhunën.” Qeveria Federale gjermane ngrihet kundër antisemitizmit – “pavarësisht se prej ku vjen ai dhe në cilën formë shprehet”, u shpreh Merkeli. Sot, shkroi ajo, në Gjermani – dhe kjo është një mrekulli – ka një jete hebreje që lulëzon.
Në takimin me kryeministrin Netanjahu në mbrëmjen e së mërkurës, Gjermania dhe Izraeli ranë dakord për një bashkëpunim më të ngushtë në fushat e ekonomisë, shkencës dhe sigurisë kibernetike. Merkelin e shoqëron një numër i madh përfaqësuesish të ekonomisë gjermane.
Fraksion.com