AktualitetPolitikëTë fundit

“Babalja”, Salianji në Prokurori: Xhafaj s’mund të hetojnë vëllanë që është në burg

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ishte sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për tu marrë në pyetje nga grupi i hetimit për audio-përgjimin e publikuar nga PD disa muaj më parë në lidhje me vëllain e ministrit të Brendshëm.

Për më shumë se dy orë deputeti demokrat Ervin Salianji është marrë në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e çështjes.

“Qëndrova gjatë për tiu përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe për ti shkuar deri në fund të vërtetës për të mos i lënë asnjë alibi prokurorisë për të mos çuar deri në fund hetimin ndaj Agron Xhafajt i cili drejtonte trafikun e drogës në Vlorë”
Jashtë në një prononcim për gazetarët u shpreh se prokuroria nëse do të zbardhë çështjen duhet të thërrasë Ramën dhe Fatmir Xhafaj

Po a i druhet një arrestimi?

“Janë brockulla që thuhen nga Fatmiri apo Rama ne media të kontrolluara prej tij. Nuk ka asnjë vepër penale të kryer prej nesh. Personat që duhet të kenë frikë janë Rama dhe Xhafaj”  u shpreh Salianji.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji,  ka mbërritur në prokurorinë e krimeve të rënda. Salianji u fut me një CD në dorë në ambientet e prokurorisë ku do të merret në pyetje nga grupi i hetimit për audio-përgjimin e publikuar nga PD disa muaj më parë në lidhje me vëllain e ministrit të Brendshëm.

Fletë-thirrja nga organi i akuzës iu drejtua të enjten deputetit dhe vjen pas mbërritjes së ekspertizës për audiopërgjimin, ku dyshohet se është i përfshirë vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj.

Pak ditë më parë nga laboratori anglez ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme përgjigjia e audio përgjimit, i cili ka rezultuar se nuk mund të konfirmohet si material autentik.

Sipas ekspertëve materiali që është dorëzuar nuk është origjinali dhe kjo e ka bërë të vështirë identifikimin e zërit, i cili nuk konfirmohet që të ketë përputhje me atë të Agron Xhafajt.

Gjithashtu prokuroria ka marrë edhe përgjigjet e qelizave celulare që kanë hedhur dritë mbi vendndodhjen e personave të përfshirë në audiopërgjim. Mësohet se nga prokuroria do të kërkohet edhe kthimi në Shqipëri i Albert Veliut, personi i njohur si “Babalja”, i cili ka bërë edhe përgjimin.

Albert Veliu aktualisht ndodhet i ndaluar nga policia e Kosovës, pasi kaloi në mënyrë të paligjshme kufirin pas publikimit të audio përgjimit në Shqipëri.

Si pasojë e publikimit të rastit nga PD shtetasi Agron Xhafaj paditi Albert Veliun për shpifje dhe më pas u largua duke u vetëdorëzuar në shtetin italian.

 

Fraksion.com