Fëmijët po humbin aftësinë për të biseduar
Entela Resuli
Fëmijët sot nuk joshen më nga topi dhe kukulla kur vjen puna për të luajtur, por nga telefoni dhe tableta.
Në ato pak pallate me oborr që gjen në Tiranë sheh rrallë fëmijë që luajnë zhurmshëm me njeri-tjetrin. Të vegjlit ulen në një cep dhe kokë më kokë, shohin ekranin e vogël që mund te jetë telefon apo tabletë.
Një pamje tjetër që të shfaqet është ajo në kafene, ku nënat, ulen për të pirë një kafe dhe për të bërë muhabet në qetësi me mikeshat e tyre i lënë në dorë fëmijës… telefonin.
Kaq duhet dhe ai hesht duke u futur në lojërat gjithë ngjyra që ka ky objekt.
Por a është ky një veprim i duhur, a është shkëputur fëmija nga realiteti? A mos janë vetë prindërit ata që po i shtyjnë drejt kësaj bote?!
Fëmijët janë duke humbur aftësinë për të bërë një bisedë, për shkak të përdorimit të teknologjisë, thotë autori i serisë së librave për fëmijë “Wimpy Kid”.
Jeff Kinney, i cili ka shkruar serinë e librave për fëmijë Diary of a Wimpy Kid, është i shqetësuar pasi fëmijët nuk arrijnë të “socializohen”
Autori amerikan ka shitur më shumë se 150 milionë kopje të printuara të serisë së Wimpy Kid, dhe librat e tij janë përshtatur për filma.
Kinney thotë se koha para ekranit është një problem i madh për shkrimtarët që duan të shesin librat në botën reale.
Ai e përshkroi marrëdhënien e fëmijëve me teknologjinë si një “eksperiment i madh i kohërave tona”.
“Nuk e di vërtet nëse dikush e ka përgjigjen e duhur, por ajo çka është e pamohueshme është se mënyra se si fëmijët tanë komunikojnë me njëri-tjetrin ka ndryshuar rrënjësisht dhe ndoshta përgjithmonë”, është shpreh ai për Association Press.
“Ajo çfarë duam nga fëmijët tanë është që të socializohen plotësisht dhe të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe mendoj se kjo është një humbje e madhe”.
“Nëse jam në makinë me fëmijët e mi, tani çdo njeri është në telefon… dhe është e çuditshme të drejtosh makinën kur çdokush është në telefon”.
“Mendoj se kjo po humb dhe mendoj se të gjithë ne jemi fajtorë si prindër. Këtë e mendoj gjithmonë”.
Kinney, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë në botë, shtoi se “koha gjatë së cilës fëmijët janë duke kaluar para ekranit të smartphone është problemi me të cilin po përballet çdo prind në ditët e sotme”.
“Gjatë kohës që kam shkruar libra për fëmijë, marrëdhënia e fëmijëve me pajisjet elektronike ka ndryshuar në mënyrë thelbësore”, – tha ai. “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të shkruash për fëmijërinë pa përmendur telefonat dhe mesazhet e shpejta”.
Të vegjlit përball teknologjisë
Një studim francez ka vëzhguar dhe analizuar sjelljen e fëmijëve në grupmosha të ndryshme të cilët përdorin tabletë dhe pajisje të tjera teknologjike. Përfundimi? Nuk këshillohet përdorimi i tyre vetëm dhe për një kohë të gjatë.
Gjatë festave të ndryshme në shtëpitë tona vijnë shumë dhurata teknologjike. Nëse njëherë e një kohë, teknologjitë u rezervoheshin vetëm të rriturve, sot gjithnjë e më shumë prindër dhe miq u dhurojnë fëmijëve tanë, edhe shumë të vegjël, pajisje të vogla teknologjike si tabletë apo robotë ndërveprues.
Por a ka kuptim t’i dhurosh një tabletë një fëmije 3 vjeç? Siç thuhet në një studim tjetër, përdorimi i pajisjeve teknologjike nga fëmijët në moshë parashkollore, mund të jetë një mundësi ose problem, në varësi se si përdoren.
Le ta nisim nga një fakt objektiv: fëmijët, edhe ata shumë të vegjël në moshë, nuk kanë asnjë problem të përdorin aplikacione smartphone apo tabletë. Një studim amerikan i kohëve të fundit me fëmijë nga 0 – 8 vjeç thotë se që 9 – 12 muajsh, fëmijët janë në gjendje të mësojnë dhe përdorin aplikacione pa probleme.
Në praktikë, lehtësia e përdorimit të pajisjeve “touch” ka hequr barrierën gjuhësore që prej kohësh ka qenë pengesa kryesore për të mësuar teknologjinë. Sot, që të përdorësh teknologjitë touch nuk është e nevojshme të dish të lexosh ose të shkruash, mjafton të kontrollosh gishtat. Jo vetëm: shumë prindër kanë zbuluar se fëmijëve të tyre u pëlqen përdorimi i aplikacioneve, në disa raste shumë; guxoni t’ia hiqni tablet-in apo celularin një fëmije dhe do të përballeni me të qara për një kohë të gjatë dhe diskutime.
Shoqata Italiane e Pediatrisë Parandaluese dhe Sociale duke marr në studim këtë fenomen ka arritur në përfundimin që celularët nuk duhet t’u jepen fëmijëve nën 10 vjeç, sepse përdorimi “po transformohet gjithnjë e më shumë në një abuzim” dhe efektet e reja të valëve elektromagnetike për shëndetin “po bëhen gjithnjë e më të dukshme”. Efektet që lë përdorimi i tyre është, humbje përqendrimi, vështirësi në kuptueshmëri dhe agresivitet.
Lira Gjika: Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët ta përdorin teknologjinë në mënyrë të zgjuar
Në Shqipëri nuk ka ende studime të mirëfillta për sa i përket këtij problemi social. Çdo familje e re me fëmijë e ka një nga temat e bisedës, punën e teknologjisë dhe fëmijës. Është e vështirë të shkëputësh fëmijën nga teknologjia, pasi shpesh thuhet se kjo e fundit e ndihmon atë për t’u zhvilluar. Pediatrja Lira Gjika me një eksperiencë dhjetëra vjeçare me të vegjlit thotë se përdorimi i mjeteve teknologjike nga fëmijët është një diskutim që ka përfshirë shumë shoqëri, ku nuk shmanget edhe e jona.
Sipas saj “fëmija natyrisht, që do të merret edhe me mjetet elektronike, madje me shumë seriozitet, që të shmangë varësinë prej tyre. Është e vërtetë, që fëmija nuk duhet ta mbushë ditën vetëm me lojëra elektronike apo televizor, por jo, që të mos i mësojë e të dijë t’i përdorë. Nëse ato, mjetet e shumta elektronike, përdoren me rregull e masë, vetëm e përgatisin fëmijën, që “nesër” kur të shkojë në shkollë apo punë, të jetë i aftë t’i përdorë me efikasitet. Kjo “gjë”, ky problem, është i gjithi në “dorën” e të rriturit. Nëse i rrituri është i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm për fëmijën, nuk ndodh asgjë e keqe. Edhe po të ketë ndonjë problem, mbase nuk do e kuptojë, që ditën e parë, por të dytën patjetër, që i rrituri, do e verë re”- shprehet Gjika.
Sipas saj, prindërit duhet të kenë qetësi dhe durim kur bisedojnë dhe flasin me fëmijën. Ata nuk duhet të përdorin formën urdhërore të të folurit, pro duhet ta bindin atë me argumente.
“Nëse prindërit, ka ndërtuar një raport të hapur me fëmijën, pa etiketime, urdhra e mosbesim, do të jetë fëmija, që do të flasë me prindin për shqetësimin e tij. Nëse prindi vepron me fëmijën, nëpërmjet urdhrit, kërcënimit, padurimit apo plotësimi i dëshirës, kur fëmija e bezdis, në këtë rast, nuk ndërtohet një raport i sigurt. Dhe natyrisht, që do të ketë edhe shmangie, madje deri fshehje të veprimeve. Edhe e folura slogan, se këto mjete janë të dëmshme dhe vetëm kaq, është vërtetë shumë e dëmshme, sepse e provokon fëmijën, në vend, që ta qetësojë dhe bindë. Është e vërtetë, që nuk është një punë e lehtë, pasi kërkon vëmendje dhe përqendrim, por kjo është të jesh i rritur, të jesh i vetëdijshëm, të mbash përgjegjësi, dhe mbi të gjitha të mendohesh përpara se të veprosh”- argumenton pediatrja.
Gjika është e mendimit që teknologjia duhet mirëmbajtur dhe jo keqpërdorur. Por njeriu keqpërdor edhe veten, jo më teknikën. Ky është faji i vetë njeriut. “Shpesh herë, shoh nënat që i japin të vegjëlve të tyre të përdorin tabletat, në këmbim të qetësisë së fëmijës edhe ajo(nëna) vazhdon muhabetin, e qetë, me shoqet e veta. Ja ku e përdorim mjetin për të shpëtuar nga fëmija”- shprehet Lira Gjika.
Ajo shton më tej dhe faktin që teknologjia të bën më të zgjuar, nëse gjendet mënyra e duhur për ta përdorur atë.
“Në këto forma teknologjike që ekzistojnë sot, ka edhe lojëra më të cilët ata mësojnë dhe argëtohen. Nuk mund të themi që deri në dhjetë vjeç fëmija nuk mund ta përdori teknologjinë, jo, ai duhet ta mësojë atë. Njeriu duhet të dijë ta menaxhojë. Çdo gjë, po e menaxhove keq të dëmton, kështu është me drogën, me alkoolin, me bixhozin. Nëse ne i përdorim mirë, na japin kënaqësi, na zgjidhin probleme”.
Sipas zonjës Lira, prindi, pavarësisht jetës intensive që bën kur kthehet në familje duhet të tregohet i duruar me fëmijën. Vetëm kështu, në të ardhmen, ai do të marrë frytet e duhura.
“Për fat të keq ne jemi pasivë në edukimin e fëmijës sonë. Ne e vendosim në gjumë, e ushqejmë dhe mendojmë se kaq është, por jo. Përpara se të flejë, një çerek ore, fëmijës duhet t’i lexosh një libër. Ky veprim duhet bërë në çdo familje, e varfër apo pasur qoftë, me shkollë apo pa shkollë. Po ta mbyllësh ditën me një libër, sigurisht që është më mirë. Fëmija duhet të shohë babanë që lexon, nënën që lexon, por kur sheh dhe nënën dhe babanë në kompjuter, natyrisht edhe fëmija do të sillet si ata. Nuk do shumë mend, ai bënë si modelet që i ofrohen”- argumenton mendimin e saj pediatrja Lira Gjika.
Aspektet pozitive
Përdorimi i teknologjisë nga fëmijët në moshë të vogël i ndihmon ata të zhvillojnë aftësi njohëse, gjë që i bën brilante mendjet e atyre të cilët, në vitet e para të jetës, ndërveprojnë në mënyrë të vazhdueshme me teknologjinë.
Multitasking i ndihmon fëmijët të përthithin më tepër informacion që përdoret nga truri, gjë që i bën subjektet më produktivë dhe të shpejtë në aftësinë e përpunimit të informacioneve që marrin, por duke reduktuar aftësinë për t’u përqendruar.
Sot ekzistojnë tabletë për fëmijë, që përmbajnë aplikacione për qëllime edukative në mosha të ndryshme jete. Me pajisjet teknologjike, të vegjlit mund të mësojnë gjuhë të huaja, të bëjnë ushtrime logjike dhe t’i japin krahë fantazisë dhe kreativitetit.
Aspektet negative
Sociologët dhe psikologët e interesuar në këtë fenomen social, pavarësisht se evidentojnë rreziqet e përhapjes së teknologjisë tek më të vegjlit, saktësojnë se avantazhet e përdorimit të pajisjeve teknologjike për fëmijë në mënyrë të kujdesshme dhe nën mbikëqyrje, janë më të mëdha se rreziqet.
Tre aspektet negative janë:
-Izolimi psikologjik i fëmijëve, që krijojnë një botë paralele ku jetojnë, shpesh e banuar nga heronj dhe personazhe virtuale lojërash dhe aplikacionesh që “frekuentojnë” bashkëmoshatarët e tyre.
-Lodhje e shikimit të fëmijëve që shkaktohet nga përdorimi për një kohë të gjatë i pajisjeve teknologjike.
-Kosto që lidhen me blerjen e disa aplikacioneve për të vazhduar lojërat./dita
Fraksion.com