AktualitetPolitikëTë fundit

Vijon transformimi tek Pazari i ri, Veliaj: E lidhim me sheshin “Skënderbej”

Tregtarët e fruta-perimeve në zonën e Pazarit të Ri nuk u duhet të shqetësohen më për ruajtjen e produkteve të tyre. Një vit nga transformimi i plotë i Pazarit të Ri, një hapësirë e re i është shtuar zonës, në ndihmë të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre aty. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kreu i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff dhe bashkëdrejtues e përfaqësues të TID Tiranë, përuruan magazinat që do të shërbejnë për të lehtësuar grumbullimin e mallrave.

“Një nga punët më të mira që kemi bërë së bashku me AADF, që sot është stoli për qytetin tonë, është Pazari i Ri. Më vjen mirë që këtu punojnë mbi 1000 vetë. Fakti që në mëngjes Pazari është plot, tregon se është aq tërheqës saqë i tundon njerëzit të vijnë dhe të kalojnë pak kohë këtu”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se falë investimit të ri, jo vetëm tregtarët do të kenë mundësi magazinimi, por edhe zona mund ta ruajë origjinalitetin si hapësirë pedonale.

Por, transformimi i kësaj zone nuk ka përfunduar ende. Bashkia e Tiranës bashkë me partnerët e saj është duke shqyrtuar mundësinë për lidhjen e sheshit “Skënderbej” me Pazarin e Ri. “Po shikojmë se si mund të lidhim dy hapësira të shkëlqyera, si sheshi “Skënderbej” dhe Pazari i Ri. Kemi një segment në mes të kolonave. Me gjasë, do të arrijmë në një marrëveshje të suksesshme, ku së bashku të krijojmë një ‘urë’ lidhëse, që zonat atraktive të Tiranës, si sheshi dhe Pazari, të lidhen me njëra-tjetrën, me të njëjtën cilësi siç janë këto dy pjesë të Tiranës”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bordit të AADF-së, Michael Granoff tha se Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës ndajnë ambicien e përbashkët për të çuar projektet përpara dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të vijojë më tej. “Një nga arsyet pse mendoj që partneriteti mes bashkisë dhe fondacionit funksionon është se kemi të njëjtën ambicie; kemi qenë të aftë të mbyllim shumë gjëra së bashku, por më e rëndësishmja është të mendojmë se si të zgjerojmë ofertat tona. Punimet e fundit do të rrisin hapësirën e magazinimit për të gjitha rastet e emergjencës këtu, e cila jo vetëm që e bën më të lehtë për ta, por në të vërtetë do ta bëjë këtë hapësirë më të mirë për njerëzit”, tha Granoff.

 

Fraksion.com