AktualitetOp-EdTë fundit

A shpëtimi i refugjatëve në det aktivitet i “paligjshëm”?

Eksperti i së drejtës detare Alexander Proelß e sheh problematik ndalimin e OJQ-ve që të shpëtojnë refugjatë në det, pa u kujdesur për alternativat. Megjithatë duket se edhe ekipet e shpëtimit kanë bërë gabime të rënda.

Aquarius, Open Arms, Iuventa, Sea-Watch dhe Sea-Eye – që nga fillimi i korrikut asnjëra prej këtyre anijeve nuk ndodhet më në lundrim në detin Mesdhe. Ndërkohë që vetëm në qershor u mbytën në Mesdhe 629 vetë. Anijet e organizatave të ndryshme jo qeveritare (OJQ) janë bllokuar në portet e Maltës, Lampeduzës dhe të Barcelonës. Vetëm Malta bllokoi lundrimin e dy anijeve civile. Arsye konkrete nuk jepen.

Në varësi se ku është regjistruar anija, ajo merr flamurin e vendit përkatës si leje qarkullimi. Vetëm shteti që i jep flamurin anijes mund të realizojë të drejtën e anijes. Disa anije shpëtimi, si Sea Watch e regjistruar në Holandë, mund të paraqesin dokumentacionin korrekt. Megjithatë derisa autoritetet e Maltës t’i kenë sqaruar çështjet me vendin përkatës, anija mbetet e bllokuar.

DW: Aktualisht nuk ka më shpëtim emergjence në Mesdhe. A është konform së drejtës një veprim  i tillë? Në cilën anë është e drejta?

Alexander Proelß: Nuk ka asnjë arsye ligjore që anijet të bllokohen. Ata nuk janë piratë, por organizata që ndihmojnë për shëptimin në det, të cilat kanë dhënë një kontribut të madh, ndaj dhe janë mbytur më pak njerëz.

Këtë relativisht mund ta thuash qartazi, se e drejta është në anën e OJQ-ve. Ligjërisht nuk lejohet që të konfiskohen anije të huaja. Kjo mund të bëhet vetëm në raste të caktuara, e këto janë të kodifikuara në marrëveshjen e OKB-së për të drejtën e shpëtimit në det. Në rastin e OJQ-ve nuk vlen. Sepse gabimi që kanë bërë ato është, se janë regjistruar si anije “Pleasure Craft”, që do të thotë anije për argëtim privat. Teorikisht p.sh. holandezët duhej të hapnin një proces kundër Maltës (sepse Sea Watch po mbahet e bllokuar – shën. red. ), por me sa duket këtë nuk e do askush. Holandezët pretendojnë, se regjistrimi nuk është i rregullt dhe refuzojnë që të marrin përsipër detyrimet si shteti që ka dhënë flamurin. Në parim OJQ-të në këtë rast nuk mund të vetëmbrohen. Atyre u mbetet vetëm një rrugë, të dalin vetë para gjyqit.

Proceset gjyqësore siç dihet zgjasin shumë. Si mund të vazhdohet më tej? A kanë shans për sukses OJQ-të?

Unë nuk shoh ndonjë mundësi. Ka më kuptim dhe duhet të jetë synim që këtej e tutje këto aksione të mos realizohen prej OJQ-vë private. Problemi është, se nga ana tjetër askush nuk është më i gatshëm – kjo vlen kryesisht për Italinë, që t’i marrë vetë përsipër këto detyra. Ndërkohë po punohet në kuadrin europian për reformimin e aksioneve të Frontex-it, por askush nuk e di, se çfarë do të dalë prej kësaj. Në fund synohet, që këtë detyrë ta marrin përsipër libianët. Kjo është më e keqja, sepse rrethanat në Libi nuk përputhen me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Mund të përfytyroj, që një gjykatë neutrale të arrijë në konkluzionin, se sekuestrimi i këtyre anijeve është konform ligjit. Por nuk përjashtohet edhe që gjykatat të arrijnë në një tjetër përfundim për arsye të së drejtës kombëtare.

 

Deutschland Alexander Proelß (privat)

 

Alexander Proelß, jurist në Universitetin e Trierit

A është problematika e flamurit arsye e mjaftueshme për t’i sekuestruar anijet?

Situata nuk është e thjeshtë, por një gjë është e qartë: nuk lejohet që anijet e huaja të mbahen të bllokuara në një port. Ndaj Italia dhe Malta veprojnë kundër së drejtës ndërkombëtare. Por kjo vlen vetëm nëse anijet më parë janë regjistruar sipas rregullave. Në disa raste kjo është e dyshimtë. Gjykatat kombëtare do të argumentojnë me regjistrimin jo të rregullt. Deri tani nuk është e qartë se për çfarë akuzohen këto OJQ. Eshtë thjesht spekulim, ajo që po bëhet aktualisht. Për mua e gjtiha kjo duket si një lojë politike.

Çfarë synohet të arrihet me kriminalizimin e shpëtimtarëve?

Ligjërisht është problematike t’ua ndalosh aktivitetin atyre që shpëtojnë njerëz të rrezikuar në det. E gjitha kjo të çon në konkluzionin, se bëhet fjalë për vendime të vetëdijshme politike, për t’i larguar ekipet private të shpëtimit në det nga Mesdheu. Nga ana tjetër edhe për t’i stepur njerëzit, që përmes Mesdheut duan të vijnë në Europë, duke u thënë, se nëse e beni këtë hap, ka rrezik të mbyteni e nuk do t’ju shpëtojnë.

A ka shenja për ndonjë zgjidhje? Sea-Watch ka propozuar hapjen e një kalimi të sigurtë, si të thuash të një korridori legal për refugjatët. Çfarë është bërë me këtë ide?

Natyrisht kjo do të ishte një zgjidhje elegante. Në situatën politike nuk mund ta përfytyroj këtë. E më duket se Italia me koalicionin qeverisës populist-konservator të djathtë po ndjek një politikë, që konsiston vetëm në stepjen e njerëzve.

Shtetet nuk duan të angazhohen për një zgjidhje të qartë. Popullsia nuk ka më empati. Çdo person që arratiset shihet si një rrezik. Kjo shpjegon edhe arsyen, përse përfaqësuesit e zgjedhur shtetërorë me sa duket kanë frikë në këtë situatë të marrin përgjegjësi, por kjo është e papranueshme.

Nëse nuk ka më njësi shpëtimi në Mesdhe a do të thotë kjo, që këtej e tutje do të vdesin më shumë njerëz? Apo ata as që do ta ndërmarrin përpjekjen për të kaluar përmes detit? A funksionon strategjia e ngjalljes së frikës?

Faktikisht ka pasiguri të mëdha. Me sa duket frika ka një efekt. Sepse shumë më pak njerëz janë nisur ndërkohë krahasuar me më parë. Nga ana tjetër ka studime, që e hedhin poshtë këtë. Çdo njeri do të mendojë tri herë më shumë në mënyrë racionale, nëse do ta ndërmarrë ose jo këtë rrugëtim të rrezikshëm, teksa dihet që nuk ka më aksione shpëtimi. Ndoshta kjo do të ketë një efekt. Por është e papranueshme në aspektin etik dhe moral e po ashtu edhe ligjërisht e diskutueshme.

Kërkesa ime është, që nëse OJQ-të nuk duhet të lejohen ta kryejnë këtë veprimtari, atëherë duhet vetë shteti, BE-ja ose në kuadër të NATO-s të ndërmarrë aksione për të organizuar shpëtimin e atyre që ndodhen në emergjencë në det. Një gjë e tillë bllokohet, sepse disa shtete bazohen tek strategjia e frikës dhe të tjerë në heshtje pranojnë e tolerojnë, në grupin e këtyre të fundit bën pjesë edhe Gjermania.

Kush mban përgjegjësi për njerëzit që vdesin? Janë shtete, që i kanë bllokuar anijet?

Në parim këtë mund ta thuash. Por a është kjo shkelje ligjore? Këtë unë nuk mund ta gjykoj përfundimisht. E drejta në këtë pikë nuk është e qartë. E drejta ndërkombëtare nuk është e mjaftueshme për këtë konstelacion. Askush nuk mund ta kishte imagjinuar, që shtetet do të veprojnë kështu siç po bëjnë tani. Kjo është vërtetë cinike.

Alexander Proelß është jurist në Universitetin e Trierit dhe drejtor i Institutit për Politikën Ligjore. Ndër temat kryesore të punës së tij kërkimore është e drejta ndërkombëtare dhe ajo detare.

 

Fraksion.com