Qeveria gjermane, bie dakord: Ligje të reja për imigrimin
Koalicioni qeveritar në Gjermani ka formuluar ligje të reja për imigrimin, që u japin prioritet arsimit, moshës dhe sigurisë financiare të kandidatit. Ligjet bazohen në modelin kanadez.
Marrëveshja “mban parasysh parimin e ndarjes së azilit nga migrimi për punë” dhe garanton që ata që kanë të drejtë ligjore për të aplikuar për azil në Gjermani do të mund ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen.
Korniza e ligjit të propozuar parashikon megjithatë që shtetas nga vende jo anëtare të BE, pa arsim të lartë ose pa një ofertë konkrete për punë, nuk do të jenë në gjendje të jetojnë në Gjermani:”Ne nuk duam imigrim nga shtetas të pakualifikuar nga vende të treta”, shkruhet në marrëveshje.
Ashtu si në modelin e Kanadasë, imigrantët e ardhshëm do të renditen në bazë të nivelit të arsimit, të moshës, të aftësive të gjuhës, ofertave për punë dhe sigurisë financiare.
Fuqi punëtore e kualifikuar jo vetëm nga BE
Në thelb bëhet fjalë që Gjermania të bëhet tërheqëse për fuqi punëtore të kualifikuar jashtë BE. Për këtë planifikohet për herë të parë të miratohen ligje imigrimi.
Partnerët e koalicionit qeveritar të përbërë nga CDU/CSU dhe SPD formuluan lehtësime në punësim për fuqi punëtore të kualifikuar, që kanë një arsim profesional. Ata do të mund të vijnë më lehtë në Gjermani. Për fuqinë punëtore me shkollë të lartë, pengesat janë zbutur që tani.
Veç kësaj nuk do të ketë kufizime për profesione të caktuara. Si bazë do të shërbejë vetëm një kontratë e nënshkruar pune. Për punonjësit e kualifikuar që nevojiten në teknologjinë e informacionit (IT) parakushtet do të jenë edhe më të ulëta.
Në bashkëpunim me ekonominë si dhe me institucionet e shëndetësisë dhe të përkujdesjes do të hartohet një strategji rekrutimi për punonjës të kualifikuar në vende të caktuara./DW
Fraksion.com