AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump shpall paktin e ri tregtar me Kanadanë dhe Meksikën

“Është marrëveshja tregtare më e madhe dhe më e mirë e arritur ndonjëherë në botë,” me këto fjalë e karakterizoi presidenti i SHBA, Donald Trump dhe anëtarët e administratës së tij një pakt të ri tregtar me fqinjët, Kanadanë dhe Meksikën.

“Kjo marrëveshje historike do të sjellë me shumicë para dhe vende pune në Shtetet e Bashkuara dhe në Amerikën e Veriut,” parashikon Presidenti Trump.

Pas diskutimeve intensive të minutës së fundit, përpara një afati që skadonte mesnatën e së dielës, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja njoftuan se kishin arritur një marrëveshje që NAFTA, Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Amerikës së Veriut, të zëvendësohet me një pakt të modifikuar tre-palësh SHBA-Kanada-Meksikë.

“Kjo është një marrëveshje e shkëlqyer për të gjithë ne,” tha zoti Trump në një fjalim për të festuar fitoren Kopshtin e Trëndafilëve në Shtëpinë e Bardhë, ku foli në praninë e disa anëtarëve të kabinetit dhe negociatorëve tregtarë të cilët punuan për të arritur Marrëveshjen SHBA-Kanada-Meksikë, që do të quhet USMCA.

Pakti, që nënkupton transaksione tregtare me vlerë 1.2 trilionë dollarë në vit, bazohet mbi “drejtësi dhe reciprocitet”, sipas Presidentit Trump, i cili shtoi se ai u arrit pas mosmarrëveshjeve me homologët e tij në Mexico City dhe Ottawa, Enrique Pena Nieto dhe Justin Trudeau.

Presidenti Trump tha se kishte folur të hënën me të dy udhëheqësit.

Marrëveshja do të konsolidojë rajonin e Amerikës së Veriut “si një nga më konkurruesit në botë”, sipas komenteve të presidentit meksikan në Twitter.

“Kjo marrëveshje e bën partneritetin tonë edhe më të fortë dhe prej saj përfitojnë njerëzit në të gjithë Amerikën e Veriut”, tha Kryeministri kanadez, Trudeau.

Pakti pritet të nënshkruhet brenda 60 ditëve nga të tre udhëheqësit, ndoshta në takimin e Grupit të 20-s (G-20) në fund të nëntorit në Argjentinë.

Në bazë të marrëveshjes, do të reduktohet prodhimi jashtë vendit i automobilëve amerikanë dhe pjesëve të tyre, tha Presidenti Trump, i cili parashikon se “sapo të miratohet, marrëveshja do të shënojë një agim të ri për industrinë automobilistike amerikane dhe punonjësin amerikan të kësaj industrie”, duke e kthyer vendin përsëri në “një fuqi të madhe të prodhimit industrial.”

Presidenti u tha gazetarëve se ai nuk është aspak i sigurt nëse Kongresi do të miratojë marrëveshjen, por anëtarë të tjerë të administratës së tij shprehën më shumë optimizëm. Pas zgjedhjeve të nëntorit Dhoma e Përfaqësuesve mund të vihet nën kontrollin e demokratëve të opozitës.

“Marrëveshja mund të gjejë mbështetje tek demokratët” pasi përmban dispozita të favorshme për punëtorët amerikanë, tha drejtori i Këshillit Kombëtar të Ekonomisë Larry Kudlow për Zërin e Amerikës.

“Unë mendoj se do të kalojë me shumicë të konsiderueshme,” parashikon përfaqësuesi amerikan i tregtisë, Robert Lighthizer. “Kjo nuk është një marrëveshje thjesht republikane. Ajo nuk ishte projektuar të ishte një marrëveshje thjesht republikane. Në fakt ajo nuk përmban pilula helmi për demokratët,” tha ai.

“Demokratët do të vëzhgojnë nga afër tekstin e propozimit NAFTA të administratës Trump dhe presin me padurim analizat dhe bisedimet e mëtejshme me palët e interesuara”, tha në një deklaratë udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Presidenti Trump e kishte bërë kritikën për marrëveshjen NAFTA njërin ndër elementët kryesorë të fushatës së tij të suksesshme presidenciale në vitin 2016, duke e quajtur atë marrëveshjen më të keq tregtare në histori dhe duke fajësuar NAFTA-n për humbjen e vendeve të punës në SHBA që kur hyri në fuqi në vitin 1994.

Marrëveshja SHBA-Kanada do të rrisë qasjen amerikan në tregun kanadez të qumshtit, njëkohësisht duke mbrojtur kanadezët nga tarifat e mundshme amerikane.

Megjithatë, tarifat e çelikut dhe aluminit të imponuara nga Uashingtoni do të mbeten. Kanadaja kishte kërkuar mbrojtje nga tarifat e Presidentit Trump për çelikun dhe aluminin kanadez të importuar në SHBA.

“Për ata fëmijë që vazhdojnë të flasin për tarifat”, kjo marrëveshje nuk do të kishte ndodhur pa tarifat, u tha zoti Trump gazetarëve gjatë një ceremonie gati 80-minutëshe në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas një zyrtari amerikan, diskutimet për tarifat i përkasin një piste “tërësisht të veçantë”.

 

Fraksion.com