AktualitetTë fundit

Krimet e Rënda: 17 vite burg për Emiliano Shullazin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë pretencën ndaj grupit të Emiliano Shullazit. Konkretisht Prokuroria ka kërkuar 17 vite burg për Emiliano Shullazin; 15 vite për Gilmandon Dani; 11 vite për Endrit Qyqan dhe Endrit Zelën; 10 vite për Blerim Shullazin.

Emiliano Shullazi gjendej në paraburgim e ndoshta nuk ishte zgjuar ende, në kohën kur herët në mëngjes policia rrethoi Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe pse ai bashkë me të akuzuarit e tjerë i kishin njoftuar me deklaratë autoritetet se nuk do të ishin të pranishëm në gjykim, policia e kishte marrë seriozisht ruajtjen e godinës së qelqtë.

Gjykata është zgjuar nën masa të forta sigurie. Akset kryesore që lidhin gjykatën janë kontrolluar e po ashtu përveç forcave të policisë, ishin të pranishëm edhe agjentë krimesh.

Prania e shtuar e forcave speciale, madje edhe e një snajper, të shtyn të dyshosh se Policia e Shtetit me këto masa po i tregon muskujt Emiliano Shullazit. E po ashtu, këto masa mund të jenë edhe një mbështetje për prokurorinë, e cila është përçarë në një moment shumë të rëndësishëm, siç është pretenca ndaj njeriut që e akuzon për drejtues të një grupi të strukturuar kriminal.

Në kushtet kur të dyshuarit ishin në qeli dhe nuk kishte indicie se ata mund të arratiseshin gjatë transportimit në gjykatë, ose se dikush mund të kërcënonte të tjerë, Top Channel u interesua për shkaqet e planit të masave të ndërmarra për të dytën herë brenda pak javësh. Por, nuk u dha asnjë përgjigje, përveç shpjegimit se e gjitha kjo është rutinë.

Dhe pas problemeve që kishte prokuroria për të gjetur prokuror për dosjen “Shullazi”, tashmë ky proces do të kthehet në një luftë nervash mes prokurorisë dhe avokatëve.

4 prokurorë, të cilët janë gjithashtu edhe shefa në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, zbritën në sallë për të shpallur pretencën më 25 shtator sërish dështuan. Siç u sëmur befas ish-prokurori i dosjes, Eneid Nakuçi, probleme me shëndetin pretendojnë se kanë edhe të pandehurit Blerim Shullazi e Endri Qyqa. Të dy ata kishin dorëzuar deklaratë ku pohonin mungesën për shkaqe shëndetësore. Madje, Blerim Shullazi kishte edhe avokatin me probleme të tilla.

Prokurorët, megjithëse të blinduar, kishin përballë një kafaz bosh dhe avokatët e 3 të pandehurve të tjerë, Emiliano Shullazi, Endri Zela dhe Gilmando Dani. Në këto kushte, gjykata e shtyu seancën për në datën 2 tetor dhe më në fund pas një sërë shtyrjesh akuza e ka dhënë verdiktin e saj.

 

Fraksion.com