“Ilaçet e skaduara nuk përdoren”
Ndonëse është krijuar një dëm financiar në vlerën e afro 480 milionë lekëve për shkak të barnave të skaduara në harkun kohor prej 10 vitesh, drejtues të Qendrës Spitalore Unversitare garantojnë se këto barna nuk përdoren për pacientët.
Daniela Nika, zv/drejtore e QSUT-së, shprehet: “Barnat të cilat disponohen në farmacinë e QSUT-së janë totalisht të sigurta dhe nuk është vërtetë që përdoren te pacientët. Barnat e skaduara, në bazë të ligjit, janë të izoluara në ambiente të caktuara”.
Në stokun e barnave të skaduara gjenden lloje të ndryshme si antibiotikë, kimioterapi të ndryshme, barna të tjera të kushtueshme si dhe pajisje mjekësore, duke filluar nga dorezat e mjekëve. Me ndryshimin e ligjit të farmaceutikës, shpjegon zonja Nika, barnat e skaduara duhet të asgjësohen sipas një procedure të caktuar dhe se tenderat e hapur për këtë qëllim kanë dështuar disa herë.
“Për të gjitha barnat që skadojnë është e detyrueshme që menjëherë të largohen nga përdorimi dhe të zëvendësohen me të njëjtin preparat, në të njëjtën sasi që skadon. Ne kemi marrë të gjitha masat që ato të mbahen në depo të veçantë dhe kemi bërë shpesh procedura të prokurimit publik për asgjësimin e këtyre barnave. Për fat të keq, ato kanë dështuar”, shpjegon Nika.
Operatorët që kanë marrë pjesë në tendera nuk kanë plotësuar të gjitha kriteret, pasi disa barna, siç janë kimioterapitë, duhen dërguar në vende të BE-së për t’u asgjësuar, gjë që nuk është marrë përsipër nga ofertuesit në tender./TCH
Fraksion.com