Rusia po “ndjek nga afër atë që po ndodh” në Maqedoni
Moska po ndjek nga afër zhvillimet në Maqedoni, pas referendumit të së dielës, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Besojmë, pa dyshim, se të gjitha proceset duhet të zhvillohen brenda
fushës ligjore. Po ndjekim nga afër atë që po ndodh atje”, tha Peskov në pyetjen e gazetarëve se si e sheh Moska rezultatin e referendumit në Maqedoni për anëtarësim në NATO dhe ndryshim të emrit të shtetit.
Në referendumin e së dielës, qytetarët e Maqedonisë u deklaruan nëse janë në favor të anëtarësimit të vendit të tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian përmes zbatimit të marrëveshjes me Greqinë, për ndryshimin e emrit.
Pjesëmarrja në referendum, megjithatë, nuk e kaloi pragun e nevojshëm prej mbi 50%.
Me marrëveshjen për emrin, shteti ballkanik do të bëhej Maqedonia e Veriut.
Miratimi i marrëveshjes në referendum dhe me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, është thënë se do t’i hapte rrugë integrimit euroatlantik të Maqedonisë.
Rusia e ka kundërshtuar hapur zgjerimin e NATO-s me vendet e Ballkanit.
Fraksion.com