AktualitetBota+Të fundit

Marrëveshje e re tregtare SHBA – Kanada

Pas diskutimeve të ngjeshura të minutës së fundit përpara një afati të vetë-imponuar që skadonte në mesnatë, zyrtarët amerikanë dhe kanadezë njoftuan të dielën vonë se arritën një marrëveshje tregtie, duke mundësuar një pakt të modifikuar trepalësh me Meksikën, për të zëvendësuar marrëveshjen prej gati një çerek shekulli të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Amerikës Veriore (NAFTA).

Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA), që mbështetë një tregti vjetore prej 1.2 trilionë dollarësh, pritet të nënshkruhet brenda 60 ditësh nga presidenti Donald Trump dhe udhëheqësit kanadez e meksikan.

“Ne mendojmë se kjo është një marrëveshje fantastike për Shtetet e Bashkuara”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës në një konferencë të organizuar me nxitim, duke shtuar se ajo është “një fitore e madhe për presidentin”.

Presidenti Trump e kishte shndërruar qëndrimin e tij kritik ndaj NAFTA-s në pjesën qendrore të fushatës së tij të zgjedhjeve të vitit 2016.

“Marrëveshja më e keqe tregtare mbase e nënshkruar ndonjëherë, por pa dyshim më e keqja e nënshkruar ndonjëherë në këtë vend”, kishte thënë ai për NAFTA-n, duke e fajësuar atë për humbjen e vendeve të punës në Amerikë që kur hyri në fuqi në vitin 1994.

Kongresi amerikan ka të ngjarë të merret me USMCA-n vitin e ardhshëm. Fati i saj në duart e ligjvënësve amerikanë mbetet i paqartë, veçanërisht nëse demokratët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit.

“USMCA do t’u japë punëtorëve tanë, fermerëve dhe bizneseve një marrëveshje të standardit të lartë të tregtisë që do të mundësojë tregje më të lira, tregti më të drejtë dhe rritje të fuqishme ekonomike në rajonin tonë”, thanë në një deklaratë të përbashkët Robert Lighthizer, përfaqësues i Shteteve të Bashkuara dhe ministrja e Jashtme kanadeze, Chrystia Freeland. “Kjo do të forcojë klasën e mesme, do të krijojë vende pune të mira dhe të paguara mirë si dhe mundësi të reja për pothuajse gjysmë miliardë njerëz që e quajnë shtëpinë e tyre Amerikën Veriore”.

Marrëveshja do të rrisë qasjen amerikane në tregun kanadez të prodhimeve të qumshtit, me disa lëshime në sistemin e saj të mbrojtur mire të menaxhimit të furnizimit, duke mbrojtur kanadezët nga tarifat e mundshme amerikane.

Tarifat amerikane për çelikun dhe aluminin, megjithatë do të mbeten në fuqi. Kanadaja ka kërkuar mbrojtje nga tarifat e presidentit Trump për importet e çelikut dhe aluminit.

Diskutimet për tarifat e metaleve “janë në binarë të tjerë”, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Në një fitore të madhe për Kanadanë, sistemi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve i kapitullit të 19-të të NAFTA-s, do të mbetet i paprekur.

Duke u larguar nga takimi 75 minutësh i kabinetit të tij të dielën, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha vetëm se “ishte ditë e mirë për Kanadanë”.

 

Fraksion.com