Akuzat për lidhje me krimin, Bushati: Opozita ka frikë nga e vërteta dhe institucionet
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i është përgjigjur akuzave të opozitës duke thënë se vendi ka një opozitë që ka frikë nga e vërteta dhe institucionet. Në Shkodër, gjatë një aktiviteti në ditën e të Moshuarve Bushati inkurajoi institucionet në luftën kundër krimit.
Detyrat tona janë të qarta, tha Bushati për sa i përket integrimit të vendit, duke thënë se reformat do të krijojnë impakt pozitiv përsa i përket ecurisë së procesit.
“Situata politike natyrisht e bazuar mbi trillim edhe shpifje, duke përfshirë dhe Shkodrën nuk është një atmosferë që mund të krijojë terrenin e përshtatshëm për të ecur më shpejt në procesin e integrimit evropian. Nga ana tjetër më duhet të them që reformat që ju i referoheni janë më tepër kërkesë e vetë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, se sa e komunitetit ndërkombëtar. Detyrat tona janë të qarta. Duhet të vazhdojmë të luftojmë pa kompromis krimin e organizuar, duhet të intensifikojmë luftën kundër korrupsionit, duhet të vazhdojmë me shpejtësi procesin kirurgjikal që ka nisur në Pallatin e Drejtësisë, dhe kësisoj këto reforma jemi të bindur që do të krijojnë dhe një impakt pozitiv për sa i përket dhe ecurisë së vendit në procesin e integrimit europian. Procesi “screening” filloi javën që shkoi. Në ditët e para të tetorit do të ketë një seancë dhe më të posaçme me shërbimet e Komisionit Evropian në Tiranë./TCH
Fraksion.com