AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Vuçiq: Thaçi u koordinua me ndërkombëtarët për “provokimin” në Ujman

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas vizitës së presidentit Thaçi në Ujman, ka thënë se për gjendjen në Kosovë ka biseduar me ambasadorët e Rusisë, SHBA-së dhe disa shteteve të tjera, si dhe për këtë do të bisedojë edhe me presidentin rus Putin.

“Do ta zhvilloj një takim me Putinin dhe do të bisedojmë për të gjitha temat e rëndësishme. Natyrisht, prioritet është gjendja në Kosovë e Metohi. Do të doja që Serbia të jetë një vend i paqes dhe mirëqenies ekonomike”, ka thënë Vuçiq, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

I pyetur se a do të kërkojë nga Putin që ushtria ruse të ndërhyjë si në Siri, Vuçiq ka thënë se nuk do të dëshironte që konfliktet, luftërat e mëdha të ndodhin në territorin tonë.

Vuçiq ka thënë se gjatë ditës ka qenë në komunikim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe me amerikanët, të cilët, siç ka thënë ai, kanë pasur informacione të ndryshme për “ndërhyrjen” e ROSU-s në veri të Kosovës.

Vuçiq ka thënë se askush nga Brukseli nuk i është lajmëruar thirrjeve të tij telefonike. “Ishte e pamundur që t’i merrja në telefon, deri në momentin kur ata u përgjigjën dhe u bënë thirrje të dyja palëve për përmbajtje”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti i Serbisë ka shprehur bindjen e tij se Hashim Thaçi nuk e ka ndërmarrë “provokimin” e tij për vizitë Ujmanit krye më vete.

“Personalisht, jam absolutisht i bindur se disa njerëz e kanë ditur për këtë dhe se disa njerëz e kanë miratuar këtë aksion”, ka thënë ai, shkruan “Tanjug”

Presidenti serb ka thënë se KFOR-i në deklaratën e tyre të parë kanë thënë se nuk kanë informacione për praninë e ROSU-s në veri të Kosovës dhe se këtë e kanë thënë në momentin kur për të gjithë tashmë ishte bërë e njohur se ata ishin në afërsi të Ujmanit.

 

Fraksion.com